Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi me bashkëpunëtorë po qëndron për vizitë zyrtare në Komunën Kestel, me ftesë të Kordinatorit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Bursa, Recep Gündüz, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Qëllimi i vizitës së Kryetarit Bulliqi, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Fevzi Jetullahu, drejtorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural, Vigan Salihu dhe zëdhënesin, Fatri Zhitia në qytetin e Bursës është vendosja e kontakteve për të inicuar lidhjen e marrëveshjes së miqësisë në mes të Komunës së Podujevës dhe Komunës Kestel.

Në ditën e parë të vizitës Kryetari Bulliqi ka vizituar Qendrën Kulturore të Kosovës në Bursa ku u takua më bashkatdhetarë që jetojnë në Bursa, të cilët i falënderoi për pritjen dhe me ta bisedoi për punët dhe angazhimet e tyre dhe mundësitë e bashkëpunimit.

Para tyre kryetari Bulliqi shprehu gatishmërinë e tij të plotë për të thelluar komunikimin dhe për të inicuar bashkëpunime që janë në dobi të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Turqi, duke garantuar bashkëpunimin e plotë të Komunës së Podujevës.

Po ashtu, gjatë kësaj vizite kryetari Bulliqi ka vizituar edhe fabriken industriale “Ermetal”, pronar i të cilës është Fahretin Güneler me prejardhje nga Gjilani, një afarist i sukseshëm shqiptar në industrinë e prodhimit në Bursa.

Në ditët në vazhdim kryetari Bulliqi me bashkëpunëtorë do të vizitoj edhe institucione e organizime tjera, në funksion të njohjes dhe me qëllim të avancimit të raporteve ndërkomunale./Llapi.info