Java e pestë në Ipko Superligën e Kosovës në futboll nis sot, ku vëmendja do të jetë në Podujevë, njofton Llapi.info.

Në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”, bardhekaltrit llapjanë presin liderin aktual Dritën, për të zhvilluar derbin e kësaj xhiroje. Ndeshja nis me fillim nga ora 16:00.

Drita në “Zahir Pajaziti” vjen pas fitores në Gjilan ndaj Feronikelit, ndërsa Llapi në këtë takim hyn pas fitores kundër rivalit Prishtina.

Pas katër javëve, Drita është lider në tabelë me 9 pikë, kurse Llapi ka 7 sosh në vendin e katërt, radhitje kjo që tregon rëndësinë e këtij dueli.

Besfort Kosumi, Granit Hyseni e Elvis Bicaj, do ta ndajnë drejtësinë në këtë përballje.

Po këtë ditë do të zhvillohet edhe dueli i dy skuadrave nga kreu i tabelës, Gjilanit dhe Ballkanit në stadiumin e qytetit në Gjilan./Llapi.info