Qeveria Kurti 2 sot ka publikuar raportin e plotë 100-ditor të punës së tyre.

Në këtë raport, ndër të tjera flitet edhe për raportin me Serbinë.

Siç është e cekur në këtë raport, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paraqitur 4 propozime rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Një nga propozimet e shefit të Qeverisë është përmendur edhe Reciprociteti ndaj Serbisë.

Kurti ka propozuar se pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet do të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu.

“Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, shtoi Kurti në pikën 3 të këtij propozimi.

Më poshtë gjeni raportin e Qeverisë lidhur me propozimet e Kurtit ndaj Serbisë:

RAPORTI ME SERBINË
Sa i përket Dialogut me Serbinë, për të cilin Qeveria angazhohet për njohjen e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës ka paraqitur katër propozime:

  1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
  2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
  3. Pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
  4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq. Kurse, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kosova për herë të parë i ka bërë kërkesa zyrtare Serbisë për kthimin e 1247 artefakteve të grabitura para më shumë se 20 vjetëve e të cilat vazhdon t’i mbajë padrejtësisht dhe në kundërshtim me marrëveshjet paraprake, konventën e UNESCO-s mbi pasurinë kulturore dhe Planin e Ahtisaarit