Dy kosovarë kanë humbur jetën gjatë përmbytjeve me të cilat u përball shteti i Gjermanisë. Gazeta Sinjali raportoi ditë më parë se njëra nga viktimat është e reja, Vanessa Koxha, nga Kaçaniku.

Ndërkaq, në telegramin e ngushëllimit që kryeministri i vendit, Albin Kurti, ua ka dërguar familjeve të të vdekurve, është zbuluar edhe identiteti i viktimës së dytë.

Shaban Delija nga fshati Zahaq i Pejës është kosovari i dytë që humbi jetën si pasojë e vërshimeve në shtetin gjerman.

“Në letrat e ngushëllimit, të cilat u janë dërguar familjeve Koxha në Kaçanik dhe familjes Delija në fshatin Zahaq të Pejës, kryeministri Kurti ua ka shprehur atyre ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarëve në fatkeqësinë natyrore që ka goditur shtetin mik, Gjermaninë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

“Me mendje e zemër jemi pranë jush, në këto ditë zie e pikëllimi”, ka shkruar Kurti në letrat e ngushëllimit.