Kroacia përkrah Kosovën në proceset integruese

Kroacia përkrah Kosovën në proceset integruese

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka takuar sot ambasadoren e re të Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviq.

Selimi dhe ambasadorja Kapitanoviq diskutuan një gamë të tërë mundësish për thelimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në planin politik dhe atë ekonomik, si dhe në fushat e arsimit, bujqësisë dhe administratës lokale.

Gjithashtu, ata të dy diskutuan marrëveshjet dypalëshe që priten të nënshkruhen së shpejti, duke filluar me marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e kulturës.

Ndërkaq, diplomatja kroate nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Kosovën, si hyrje të shtetit kosovar në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe se kjo do të hapë mundësi të reja për projekte konkrete në bashkëpunim sectorial dhe në transferimin e njohurive.

Në fund, ambasadorja përsëriti se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kosovën në proceset integruese evropiane, si dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, transmeton Klan Kosova.