Është mbyllur pa fitues ndeshja mes Kroacisë dhe Republikës Çeke në Hampden Park të Glasgow 1-1.

Kroacia erdhi në këtë ndeshje pas humbjes nga Anglia 1-0, derisa Republika Çeke pas fitores 2-0 ndaj Skocisë.

Pikët ishin shumë të rëndësishme për të dyja skuadrat që menjëherë filluan të sulmonin, ku çekët patën rastin e parë me Patrik Schick, por pa sukses.

Ivan Perisic u kundërpërgjigj nga ana tjetër, por duke mos arritur të dërgojë topin në rrjetë.

E në minutën e 35-të, çekët fituan penallti kur Dejan Lovren goditi me bryll sulmuesin Schick.

Anëtari i Bayer Leverkusen u tregua i saktë nga pika e bardhë duke kaluar Çekinë në epërsi 1-0 dhe duke shënuar njëherit golin e tretë në këtë evropian.

Vetëm dy minuta më vonë, Ante Rebic pati një rast të artë shënimi, por goditja e tij shkoi jashtë portës.

Kësisoj 45 minutat e para të kësaj sfide përfunduan me epërsinë minimale të çekëve 0-1.

Me të filluar pjesa e dytë, kroatët barazuan shifrat në 1-1.

Andrej Kramaric asistoi bukur te Ivan Perisic i cili me një goditje të fuqishme shënoi për të barazuar rezultatin.

Kroacia pati iniciativën dhe rastet deri në fund të ndeshjes, kur shpërdoruan Vlasic dhe Petkovic.

Gjithsesi në fund ndeshja e zhvilluar në Hampden Park përfundoi pa fitues 1-1.

Republika Çeke kryeson në Grupin D pas dy ndeshjeve me katër pikë, derisa Kroacia ka një pikë.

Ndeshjen e radhës çekët e zhvillojnë ndaj Anglisë, derisa Kroacia luan me Skocinë ku do të kërkojë kualifikimin.