Enver Hoxha, mjeku i cili ka shërbyer në kohë lufte në Zonën Operative të Llapit, sot ka hapur ekspozitën e tij të titulluar “Gjenocidi XX”, ta kujtojmë të kaluarën, ta ndërtojmë të ardhmen”, njofton Llapi.info.

Kjo ekspozitë është hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Sipas autorit të ekspozitës, fotografitë të cilat janë realizuar në Shalë, Llap e Gollak, dëshmojnë eksodin dhe gjenocidin serb të kryer në Kosovë.

Hoxha nëpërmjet kësaj ekspozite po këmbëngul që të dënohen kryerësit e këtyre akteve kriminale.

“Këto janë fotografitë e zhvendosjes dhe eksodit brenda për brenda Kosovës, me tendencë për t’u dëbuar nga Kosova dhe për t’u realizuar operacioni “Patkoi”. Pastaj mbijetesa normale, djegiet e masakrat. Me këtë ekspozitë po synojmë ta kujtojmë të kaluarën ta ndërtojmë të ardhmen. Është një 20-vjetor i cili në aspektin kohor për dikë është i gjallë, por për atë që kanë vuajtur nuk është i gjallë. Edhe në anën tjetër me lyp përgjegjësi për kriminelët. Sikur janë rehabilituar ata dhe nuk i ndëshkon askush”, ka thënë Hoxha.

Mbi 100 fotografi janë vendosur në muret e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Me këtë po synohet që të kërkohet përgjegjësi nga shteti i cili kishte kryer gjenocid në vend./Llapi.info