Kryeministri Albin Kurti ka foluar para mediave pas takimit me presidentin Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Zyra e Kryeministrit ka publikuar të plotë deklaratën e Kurtit pas takimit dhe përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.

Deklarimi i plotë i Kurtit nga Brukseli:

Sot u zhvillua takimi i parë në Bruksel me delegacionin nga Serbia. Unë isha bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi i cili është përgjegjës për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog dhe kjo u bë më ndërmjetësimin e zotërinjve Borel dhe Lajçak.

Reklamë

Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces i cili është i vështirë, përderisa pala tjetër po fliste për ide të vjetra, ne dhamë katër propozime të reja. Propozimi i parë ishte që ta avancojmë marrëveshjen CEFTA të Ballkanit Perëndimor në marrëveshje SEFTA me ç’rast do ta përdorim modelin e shteteve si Islanda, Lintenshtajni dhe Norvegjia, që kanë me Bashkimin Evropian pra EFTA- EEA.

Propozimi i dytë ishte një ditë pas samitit të djeshëm të NATO-s, ku u dhanë porosi shumë të qarta dhe unanime, Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë një deklaratë të paqes, ku ne zotohemi si shtete që nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojmë paqes, sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë.

Propozimi ynë tjetër që e bëmë ishte që te çështja e të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë, duhet të largohet nga delegacioni serb zotëri Velko Odaloviq i cili përndryshe ka qenë udhëheqës famëkeq në vitet 1997-99 dhe bashkë me Angjelkoviqin e kanë udhëhequr Kosovën e okupuar, siç e kanë quajtur atëherë ‘qarkun e Kosovës’.

Pra, vetë zotëri Nenad Çanak ka pohuar që ekzistojnë 16 varreza masive në Serbi, por vetëm 5 prej tyre janë hapur. Janë zhvarrosur mbi 1000 shqiptarë, prej tyre 744 vetëm në Batajnicë, por janë edhe 11 varreza të tjera masive dhe nuk kemi pse e komplikojmë çështjen, kur zotërinjtë Odaloviq e Angjelkoviq e dinë se cilat janë ato varreza të tjera, ndërsa Nedad Çanak pati thënë se këtë e ka dëgjuar nga ish-ministri i brendshëm në kohën e kryeministrit të vrarë, Zoran Gjingjiq, z.Dushan Mihajloviq.

Propozimi ynë i katërt, sa i përket çështjes së pakicave, ishte reciprociteti bilateral, i cili është parim i përgjithshëm, por në veçanti në Kosovë, për serbët e Kosovës, ne do të mund të kishim një Këshill nacional, ashtu siç është në Serbi për shqiptarët dhe boshnjakët.

Tri propozimet tona të fundit u refuzuan. Propozimi ynë i parë për SEFTA-n, nuk dhanë përgjigje, por unë sinqerisht shpresoj që do ta konsiderojnë seriozisht këtë propozimin tonë, që e bëmë sot, kur të kthehen ata në Beograd.

Ndërkaq, takimi i radhës do të jetë para pushimit të verës, që nëse nuk gaboj i bie më 25 korrik.

Pra, ne do të jemi të gatshëm për pjesëmarrje në proces, mirëpo nuk ka ende dakordim sa i përket agjendës për dialogun e ardhshëm në këtë takim, të parin, që u zhvillua sot.

Press:

Përse u ngrit çështja e të zhdukurve, duke marrë parasysh që në shtatorin e vitit të kaluar vetë Lajçak ka thënë se palët janë dakorduar për këtë çështje. Keni informacion se për çfarë janë pajtuar palët, në dialogun, i cili është stopuar në shtator të vitit të kaluar, kur zyrtarisht është përmbyllur kjo temë? Pse tani del përsëri në sipërfaqe?

Përgjigje:

Ne dialogun e shohin si dialog për njohje të ndërsjellë. Këtë e ka thënë edhe Presidenti Biden dhe ne plotësisht pajtohemi me këtë formulim, pra njohje e ndërsjellë. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe një Serbi që e njeh Kosovën, e njeh edhe Kosova më pas. Kështu, dy republikat tona krijojnë marrëdhënie të mira fqinjësore, sipas modelit evropian.

Mirëpo, nga marrëveshjet e mëhershme, të cilat janë zhvilluar, duhet ta keni parasysh që janë bërë nga një qeveri, e cila doli të ketë qenë jo vetëm jolegjitime, por edhe kundërkushtetuese.

Në anën tjetër, asnjëra prej dakordimeve të mëhershme, nuk vlen, përderisa nuk ka dakordim të përgjithshëm për të gjithë.

Rrjedhimisht nuk mund të thuhet që ka pasur marrëveshje në të kaluarën, mirëpo është zotimi ynë si Qeveri e Republikës së Kosovës, që nëse ka një gjë që nuk pret, është çështja e të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë, meqenëse familjet nuk jetojnë në dhembje, pikëllim, por edhe në ankth. Dhe, nëse në rastet tjera, ndoshta, koha edhe i zbut ca plagët, e kundërta vlen për të pagjeturit, për ata që u zhdukën me dhunë.

Prandaj, edhe ne, e trajtuam këtë çështje, mirëpo nuk duket që ka gatishmëri për t’u marrë me njerëzit përgjegjës të asaj kohe, të cilët fatkeqësisht janë ende në pozitat e rëndësishme shtetërore. Pra, nuk bëhet fjalë për njerëz që janë bërë deputet me votat e qytetarëve, por për njerëz të emëruar nga pushteti i atjeshëm në ato pozita që i kanë.

Press:

Z. Kryeministër, thatë që nga pala tjetër nuk ekziston gatishmëria. Edhe Presidenti serb Vuçiq e tha që ka qenë një prej takimeve më të vështira që ka pasur deri tani, këtë radhë. Nga takimi i parë që keni pasur, keni shpresë, që megjithatë mund të arrihet një marrëveshje e shpejtë me palën serbe apo procesi do të zgjatet sikur prej vitit 2011 e deri më tani?

Press:

Unë kam shpresë se nëse i diskutojmë qysh në fillim, pa ekuivoke, sinqerisht e seriozisht, çështjet kryesore në krye të herës, atëherë me siguri që nuk ka vend për skepticizëm, meqenëse qasja është e duhur. A do të jetë vështirë? Vështirë do të jetë. Mirëpo, unë nuk do të thosha se jam pesimist, meqenëse tash po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre, e nuk po përpiqemi ta evitojmë elefantin në dhomë, e kjo është se Presidenti Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë, meqë aktualisht kemi mosnjohje të ndërsjellë.

Serbia nuk e pranon Republikën e Kosovës, Kosova nuk e pranon Republikën e Serbisë dhe kjo duhet të ndryshojë.

Press:

Z.Kurti, si ka qenë atmosfera, sepse presidenti i Serbisë tha se pala shqiptare, siç tha ai, ka ardhur për të dëshmuar se nuk do asnjë marrëveshje, nuk e zbaton asnjë marrëveshje dhe se ai nuk sheh absolutisht asnjë çështje, rreth së cilave palët janë pajtuar. Po ashtu, rreth të zhdukurve, ai përsëriti atë që shpesh e thonë, le të tregojnë shqiptarët se ku mendojnë se ka varreza, e ne do të shkojmë e ti kërkojmë, ndërsa nga pala e Kosovës nuk ka gatishmëri për hulumtime aty ku ata kërkojnë.

Përgjigje:

Po, ky ishte një takim, në të cilin u ruajt distanca fizike, pra ishim më shumë se dy metra larg njëri-tjetrit dhe mund të them që për bindjen time nuk kishte shumë befasi, por unë prezantoj interesat e Republikës së Kosovës, të drejtat e popullit të Kosovës dhe në veçanti përpiqem që procesi të ketë parime, sepse vetëm në atë mënyrë është i qëndrueshëm. Nuk mund t’i pyesim shqiptarët çerek informacionin që kanë se ku ka varreza masive në Serbi, kur mundemi shumë kollaj ta pyesim Velko Odaloviqin, Zoran Angjelkoviqin, Dushan Mihaloviqin. Ata e dinë. Ndërkohë që Presidenti i Serbisë po thotë që nuk di gjë, por edhe nëse ky nuk di gjë, ka të tjerë që dinë aty dhe le t’i pyesin, sepse nëse në Bosnjë dhe Kroaci ka qenë ndoshta e mundur të thuhet që serbët e atjeshëm janë përfshirë në konflikt, ndonëse Serbia nuk ka qenë neutrale, padyshim, në çdo aspekt, në Kosovë askund nuk kanë qenë krimet joshtetërore.

Prandaj, e vërteta për krimet e Serbisë e Millosheviqit në Kosovë, ndodhet sërish në Serbi, pra në Beograd.

Andaj, ne bëjmë thirrje, që këta persona që janë gjallë, e kanë qenë në pushtet në atë kohë, të hiqen nga pozitat që i kanë sot në Serbi dhe të merren në pyetje për të vërtetën kriminale të Serbisë së Millosheviqit në fund të shekullit të kaluar.

Press:

Z. Kryeministër, a keni dëgjuar ju nga përfaqësuesit e BE-së, të thonë që finalizimi i dialogut, është njohja e ndërsjellë dhe se anëtarësimi i Serbisë, kalon përmes njohjes së pavarësisë së Kosovës?

Përgjigje:

Ndoshta nuk e thonë kështu në mënyrë eksplicite, mirëpo unë besoj që kjo është e qartë. Kosova dhe Serbia nuk do të mund të integrohen në Bashkimin Evropian pa njohje të ndërsjellë dhe sa më parë që realizohet ajo, aq më mirë.

Unë theksova, që në kuadër të mandatit të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Siguri, z.Borel dhe në kuadër të mandatit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Anerikës, z.Biden, do të duhej të bëhet marrëveshja, mirëpo, sa më herët që bëhet, aq më ‘kollaj’ është, përveçse më mirë. Meqenëse, sa më shumë kohë kalon dhe nuk bëhet marrëveshja, aq më vështirë do të jetë të bëhet ajo.

Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë fillimin e mandatit edhe të Qeverisë sonë, edhe të Presidentit Biden, në mënyrë që ta realizojmë këtë marrëveshje. Pra, brenda kësaj kohe sa zgjat mandati i zotërinjve Biden dhe Borel.

Press:

Ju e thatë, që disa prej politikanëve që kanë aso kohe në pushtet janë edhe tani. E keni përmend edhe mundësinë e aktakuzës për gjenocid. Do të ketë diçka në këtë drejtim? Do ta akuzoni Serbinë për gjenocid?

Përgjigje:

Ne kemi filluar me përgatitjet e para të padisë për gjenocid ndaj Serbisë mirëpo çdo herë kur ne e përmendim këtë gjë, jemi duke u bërë thirrje edhe institucioneve të Kosovës, edhe qytetarëve të Republikës edhe partnerëve ndërkombëtarë, që të na ndihmojnë në dokumentim e në përgatitje, pra ka punë përgatitja e kësaj padie për gjenocid, mirëpo meqenëse ka ndodhur gjenocidi në Kosovë, duhet të ndodhë edhe padia për këtë gjenocid.

Sa kohë do të marrë është më shumë çështje e ekipeve punuese dhe ekspertëve dhe shpejtësisë së dokumentimit dhe përgatitjeve që do t’i bëjmë.

Press:

Z. Kurti, rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin, edhe pala serbe por edhe BE-ja insiston që kjo duhet të zbatohet?

Përgjigje:

Asociacioni i komunave me shumicë serbe si një entitet një-etnik është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, meqenëse nuk është në përputhje me plot 23 nene. Gjithashtu qytetarët e Republikës kanë realizuar peticion masiv dhe opozita ka bërë edhe veprime radikale në kundërshtim të Asociacionit.

Asociacioni nuk është për serbët por kundër Kosovës ashtu siç është dizejnuar, pra ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët, pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës.

Ne e dimë shumë mirë që atje më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe u patën bërë bashkë, të cilët më 9 janar 1992 e shpallën pavarësinë. Më 28 shkurt 1992 e aprovuan kushtetutën e tyre dhe më 14 tetor 1995 në Dejton të Ohajos e fituan njohjen ndërkombëtare të asaj që njihet si Republika Srspka. Pra ne jemi për të drejtat e qytetarëve për t’ua plotësuar atyre nevojat mirëpo jo për t’ia territorializuar brenda Kosovës ambiciet Serbisë, e cila vuan për humbjen që ia ka shkaktuar regjimi i Millosheviqit. Unë besoj që pushteti në Beograd sot, do të duhej që ta fajësonte fajtorin. Serbia e ka pasur të okupuar Kosovën dhe e ka humbur në shekullin e kaluar nga regjimi i Millosheviqit. E nuk do duhej tash të vajtojnë për humbjet e Serbisë si shtet por do duhet të bashkëpunojnë me neve për marrëdhënie të mira në Ballkan e të karakterit Evropian.