Flamuri i Kosovës është lartësuar dy herë sot në Guangzhau të Kinës, njërin prej vendeve që kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës.

Përveç flamurit, në palestrën ku është mbajtur mastersi botëror i xhudos është intonuar edhe himni i Kosovës. Kjo falë xhudistes Distria Krasniqi, që arriti medaljen e artë në garën e rëndësishme sportive.

Xhudistja tjetër, Nora Gjakova, u ndal me të argjendtën në Kinë.

Megjithatë është ky edhe një tjetër sukses individual i sportisteve të Kosovës, që po ndihmojnë edhe shtetit të krijojë një imazh në favor të vetin.

Kina, bashkë me Rusinë, mbesin kundërshtarët e mëdhenj të Pavarësisë së Kosovës.

Kujtojmë se ka qenë xhudstja tjetër me nam, Majlinda Kelmendi, ajo që me të artë në botëror, kishte ngritur flamurin e Kosovës në Sochi të Rusisë.