Kosovën e fituam me Luftë, po e humbim në Paqe!

Kosovën e fituam me Luftë, po e humbim në Paqe!

Shkruan: Mirsad Zeka
Sot, Kosova feston shtatë vjetorin e Pavarësisë. Më 17 shkurt të vitit 2008 në një seancë solemne Kuvendi shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ku që nga paslufta 1999 deri në atë kohë administrohej nga misioni i ndërkombëtar i UNMIK-ut, i cili me të drejtë mund të quhet si mision i dështuar në Kosovë.

Shpalljes së Pavarësisë i ka paraprirë një proces i gjatë, ku popullata shqiptare nuk iu nënshtrua asnjëherë regjimit serbo-sllav.

Tani pas shtatë vjet të Pavarësisë, ndoshta më tepër duhet të ngushëllojmë Kosovën se sa të festojmë, për të gjitha të këqijat që po i ndodhin këtij vendi.

Edhe pas shtatë vjet shtet, Kosova ende nuk e ka shtri sovranitetin në gjithë vendin, Kosova larg ulëses në OKB, larg liberalizimit të vizave. Korrupsioni luftohet vetëm në letër e me spektakle mediatike.

Pas 16-vjet Liri dhe 7-vjet Pavarësi, çfarë arritëm?! Çfarë na solli kjo klasë politike?! Përgjigjja do ishte që na sollën papunësinë, sollën kamarjerë me master dhe deputetë me 8-vjeçare, sollën drogën, sollën korrupsionin, nepotizmin, migrimin ilegal, kampet e Hungarisë, sollën edhe veshjet Guci, Armani, Versaçe, sollën Tangat e çfarë nuk sollën tjetër, por të mira popullit të Kosovës nuk i sollën pa nuk i sollën.

KEK-u, tani dhe KEDS-i edhe pas kaq vite liri, nuk arritën të sjellin ende një stabilitet energjetik, reduktimet ende ndodhin pa asnjë paralajmërim, nuk mjaftohet me kaq, por i vjedh qytetarët ashiqare, me fatura të fryra e orë digjitale.

Strukturat paralele në vend se t’i pranojnë Institucionet në Prishtinë, këtu ndodh e kundërta. Më shumë të drejta kanë 5% e qytetarëve serbë se sa 95% shqiptarë.

Në Kosovë nuk duhet të kesh të drejtë edhe nëse Qeveria e ka gabim, sepse ndodh rrëzohesh nga kati i 9-të ose “vetëvritesh” duke therur veten me thikë 13 herë. Udhëheqësit tanë shahen me nënë në mes veti e Fusnotat për Kosovën, e autonomitë për veriun po bijnë si “kërpudhat pas shiut”.

Serbia na i ka bërë dhe vazhdon të na i bëjë njëqind e një mijë të zeza, ndërsa politikanët tanë kërkojnë me çdo kush të takohen me ta, duke u çaraveshur para tyre.

Nuk na ka mbetur tjetër gjë vetëm t’i kërkojmë falje Serbisë për krimet që na i ka bërë…në vend se të na kërkon ajo neve.

Edhe një pordhë (më falni për shprehjen) me lëshua ndërkombëtarët, politikanët tanë kanë për të thënë “Kjo ndikon në zhvillimin e lirisë dhe demokracisë së Kosovës”.

Kosova sot fle përmbi ari, por është e varfër! Kurrgjë s’e ka pasurinë nëntokësore Kosova çka i ka politikanët e pasur. Kah ju erdhi e gjithë kjo pasuri?! Do far tenderëve po thonë ua panë hairin.

Paralufte nuk besoi që kanë pas as “Yugo”, e “Zastava” të Serbisë e lëre më “Llada” të Rusisë. Në qytet dilnin me autobus, dhe atë vetëm ditë tregu, për të blere harçin e një jave, se tjera ditë çobanë në mal, ndërsa sot s’po dinë t’u zbresin Xhipave, Mercedesave, X5, Q7 etj. etj. qe besa afër vetit nuk “harrojnë” t’i marrin edhe ka 3-4 truproje. Nga kush ruhen apo frikohen këta politikanë?! Nga populli i cili i ka votuar vet?! Nuk kanë faj këta jo, por ne që po i durojmë.

Gjitha këto më duken një çmenduri kolektive. Kur çmendet një person është lehtë të kurohet, por krisjes kolektive vështirë se mundet me ju gjet zgjidhje. Si munden me qenë këta njerëz kaq të pa ndërgjegje, kjo është vështir të kuptohet. Paramendoni në dorë të kujt ka mbet fati i dy milionë kosovarëve.

Tani po e kuptoj Gjergj Fishtën, ku në kulmin e dëshpërimit kishte pas thënë: “Le ta dijë bota mbar, se Gjergj Fishta nuk është më shqiptar!”.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit www.llapi.info