E lindur në Kosovë, shqiptare me nënshtetësi amerikane. Nga refugjate e luftës, në luftëtare e ushtrisë më të fuqishme në botë, pilote e Ushtrisë Amerikane. Është Valdeta Mehanja, togerë e 2’të, pilote në Regjimentin e Aviacionit 1-131.

Ajo tani ndodhet në Shqipëri me Ushtrinë Amerikane, për të stërvitur bashkë me forcat ushtarake shqiptare.

“Unë kurrë nuk kam vizituar Shqipërinë më parë. Është një ndjenjë e pabesueshme të jesh këtu, si një pilote, me uniformë dhe në ushtrinë e SHBA,” tha ajo në një intervistë për sajtin e Ushtrisë Amerikane www.army.mil.

“Unë nuk do ta kisha pasur kurrë këtë mundësi për të fluturuar nëpër Shqipëri nëse nuk do të ishte ushtria. Ky përjetim thjeshtë më bëri të lumtur”.

Mehanja thotë se ky mision për të është “plotësimi i një rrethi”. Ajo u rrit e varfër dhe familja e saj u bë refugjate e luftësVite më vonë, si kontraktuese për Departamentin e Mbrojtjes, autokolona e saj që udhëtonte për në Bagdad u zu pritë nga mjete shpërthyese të improvizuara dhe të shtëna me armë zjarri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Sidoqoftë, ajo u shpëtua nga pilotët amerikanë dhe nga aty e kuptoi se ishte ajo që në të ardhmen do të duhej të bënte punën e atyre që e shpëtuan.

“Kjo më bëri të dëshiroj të bashkohem me aviacionin”.

Që atëherë Mehanja e ka arritur atë qëllim dhe është bërë një pilote UH-60 Black Hawk për Ushtrinë e SHBA. Ajo ndjeu që rrethi së shpejti do të ishte i plotë kur mësoi se 1-131 po shkonte në Shqipëri për të marrë pjesë në DEFENDER-Europe 21.

“Isha aq e ngazëllyer. Nuk mund ta besoja që njësia e Gardës në të cilën u bashkova po shkonte në Shqipëri,” tha ajo. “Nuk e kuptova sa i bukur është ky vend derisa të fluturoja përreth maleve. Unë nuk mendoj se mund të kisha vizituar Shqipërinë në një mënyrë më të mirë.”

Që kur mbërriti në Shqipëri, Mehanja ka fluturuar në misione dhe ka shërbyer si përkthyese dhe këshilltare kulturore për Amerikanët dhe Shqiptarët që punojnë së bashku. Ajo thotë se ka qenë e lumtur të marrë përsipër detyrat shtesë.

“Nëse punojmë së bashku, do të jemi më të fortë” shpjegoi ajo.

Jashtë këtyre detyrave, Mehanja është bërë disi e famshme. Ajo është takuar me qindra vendas, është intervistuar nga media të shumta, është takuar me Ambasadorin e Sh.B.A. Yuri Kim dhe me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta.

Familja e saj është tepër krenare për të.

“Është një gjë e madhe. Unë nuk mendoj se nëna ime, e cila nuk u lejua të shkonte në shkollë, do të kishte menduar ndonjëherë se vajza e saj do të shtrëngonte duart me një president shqiptar. Familja ime është po ashtu krenare që kam qenë në gjendje të vij këtu si një pilote e Ushtrisë Amerikane dhe të punoj me shqiptarët”.

Përkundër gjithë kësaj, ajo mbetet e përulur dhe shpreson që historia e saj të frymëzojë të tjerët dhe të ndihmojë në ndërtimin e miqësive midis kombeve.

“Çdo gjë është e mundur nëse punoni shumë për të. Vetëm kur mendoni se nuk mund të arrini diçka sepse udhëtimi është shumë i vështirë, kjo nuk do të thotë se është e pamundur dhe se nuk do të ndodhë kurrë,” tha ajo. “Unë isha në gjendje ta bëja këtë pavarësisht nga shanset kundër meje. Çdokush mund ta bëjë gjithashtu. Unë shpresoj që të gjithë do të frymëzohen për të arritur qëllimet e tyre.”

Mehanja nuk beson se do të ishte aq e suksesshme pa Regjimentin 1-131 të Aviacionit dhe Gardën Kombëtare të Alabamës.

“Unë seriozisht kam njësinë më të mirë. Unë kam komandantin më të mirë. Unë kam qenë kaq me fat. Ata më kanë lejuar të kem këtë përvojë, të jem pjesë e kësaj. Ishte puna e Zotit dhe të gjithë këtu që e bënë të mundur këtë, dhe Dua t’i falënderoj ”.