Temperaturat e larta kanë bërë që shumë kosovarë t’ia mësyjnë bregdetit gjatë këtyre ditëve.

Day Travel
Muaji korrik ka nisur me temperatura përvëluese, duke bërë që plazhet të mbushen përplot me pushues që në ditët e para të këtij muaji.

Në statistikat e Policisë të siguruara nga lajmi.net, rezulton se nga 1 deri më 7 korrik, në pikë-kalimet kufitare me Shqipërinë (Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë), kanë dalë 108.922 qytetarë, ndërsa kanë hyrë 99.351 qytetarë.

Ndërsa, në pikë-kalimin kufitar me Malin e Zi (Kullë) brenda një jave (1-7 korrik) kanë dalë 5948 qytetarë dhe kanë hyrë 5773 qytetarë.

Interesim më të madh për të udhëtuar në vendet bregdetare kishte gjatë fundjavës, meqë rast për në Shqipëri të shtunën hynë 20.834 qytetarë, ndërsa të dielën 16.754 qytetarë.

Në fundjavë, të shtunën ishte fluksi më i madh i qytetarëve që udhëtuan për në Mal të Zi, gjithsej 1032 persona.

Edhe gjatë muajit qershor të këtij viti, kishte qarkullim të madh të qytetarëve për në Shqipëri e Mal të Zi.

Nga statistikat e policisë del se në total, numri i personave që hynë në pikë-kalimet kufitare me Shqipërinë gjatë qershorit është 398.155, kurse në dalje janë 399,791 qytetarë.

Në anën tjetër, po në qershor, në pikë-kalimin kufitar me Malin e Zi, janë regjistruar 18.828 hyrje, ndërsa 19.047 dalje.

Fluksi i qytetarëve vazhdon të jetë i madh për në këto vende edhe gjatë këtyre ditëve, e në këtë rast, një lehësim për qytetarët ishte edhe lirimi i masave anti-COVID dhe vaksinimi.