Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, të enjten (sot) do ta bëjë publike listën për dy ndeshjet e këtij muaji.

Në listën e tij nuk pritet të ketë shumë ndryshime, e aq më pak ndryshime do të ketë në formacionin për ndeshjen e parë eliminatore të “Euro 2020” kundër Bullgarisë, që zhvillohet më 25 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, në kuadër të Grupit A.

Formacioni që luajti në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Azerbajxhanit, e që shkëlqeu me fitore 4:0, pritet të zbresë në fushë edhe ndaj Bullgarisë, shkruan sot Koha Ditore.

Ndryshimi i vetëm mund të jetë te mesfushori Valon Berisha, i cili ka disa javë që nuk po luan te Lazio për shkak të lëndimit të muskujve.

Megjithatë, Berisha këtë vikend mund të luajë me Lazion sipas Challandesit, dhe nëse e bën këtë, atëherë pritet të luajë edhe ndaj Bullgarisë.