Kosova shënon Ditën Botërore kundër Kancerit

Kosova shënon Ditën Botërore kundër Kancerit

Sot shënohet Dita Botërore kundër Kancerit. Sëmundja e rëndë që mund të shfaqet në pjesë të ndryshme të trupit është përgjegjëse për 20 për qind të vdekjeve që ndodhin në Evropë.
Çdo vit, mbi 3 milionë raste të reja diagnostikohen me kancer, ndërsa 1.7 milionë të sëmurë vdesin për shkak të tij. Kanceri mbetet sëmundja e dytë me numrin më të lartë të vdekjeve, pas patologjive kardiovaskulare.
Një stil jete më i kujdesshëm dhe kontrolle të herëpashershme mbeten dy këshillat kryesore.
Sipas të dhënave të OBSH-së, kanceri është një sëmundje që po bëhet gjithnjë e më tepër faktor në barrën globale të sëmundjeve, duke sfiduar shëndetin e miliona njerëzve anekënd botës.
Numri i përllogaritur i rasteve të reja për çdo vjet rritet prej 10 milionë në vitin 2000 deri në 15 milionë të supozuar në vitin 2020.
Kjo ditë me disa aktivitete do të shënohet edhe në Kosovë.
Task Forca Kosovare për Kontroll të Kancerit-TKKK, së bashku me MTCC ka dizajnuar dy fletpalosje në gjuhën angleze, të cilat janë përkthyer në të gjitha gjuhët e vendeve Mesdhetare duke përfshirë edhe gjuhën shqipe me moton: “Jetën tënde e ke ti në dorë” dhe “Ushqimi dhe kanceri”; me qëllim të vetëdijësimit të popullatës se si duhet parandaluar kanceri, cilët janë faktorët e rrezikut për tipat më të shpeshta të kancerit dhe si duhet të ushqehemi për ta parandaluar këtë sëmundje të rëndë.