Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është propozuar si kandidat zyrtar i Kosovës në garën e çmimeve prestigjoze për film “OSCARS 2022.”

“Tregimi i vërtetë i Fahrie Hotit në ‘Zgjoi’-n është shprehje kinematografike inspiruese në sfidimin e status quos dhe rolet nënshtruese të konstruktuara nga shoqëria në Kosovë dhe botë” deklaroi komiteti selektues pas përzgjedhjes së filmit”, ka shkruar në njoftim Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes.

“Zgjoi” ka producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n. është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe me drejta të shitjes globale nga Level-K.

Në film luajnë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami, etj.

Filmi “Zgjoi” ka fituar tri çmimet kryesore në festivalin e filmit në Sundance në SHBA. Së fundmi u shpall filmi më i mirë i Ballkanit në PriFest. Po ashtu çmimi i përvitshëm për arritje për një artist nga Kosova në fushën e kinematografisë iu dha regjisores Blerta Basholli.