Prej 15-18 Prill në Manama të Bahreinit, u mbajtën punimet e Kongresit të 7-të Global të Ndërmarrësisë. Nga ky kongres, Kosova përfitoi tri licenca prestigjoze globale.

E themeluar nga Kauffman Foundation (SHBA) më 2008, Rrjeti Global i Ndërmarrësisë (GEN) është platfoma më e madhe në botë që bënë bashkë ndërmarrës, investitorë, hulumtues, politikë-bërës e organizata që për mision kanë zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit, përmirësimin e ambienteve të të bërit biznes, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik nëpërmjet inovacionit e teknologjisë.

Image
Në Kongresin Global të Ndërmarrësisë, përveç delegatëve nga e mbarë bota, të pranishëm ishin edhe Jonas Kjellberg (themelues i Skype), ish-Presidenti i Estonisë, Toomas Hendrik Ilves si dhe Jonathan Orthmans, President in GEN në SHBA. Kosova në këtë ngjarje globale, u përfaqësua nga drejtori ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK), Uranik Begu, i cili poashtu është edhe nikoqir i Rrjetit Global të Ndërmarrësisë në vend.

“Global Entrepreneurship Network (GEN) mbetet platforma e vetme globale e integruar për fuqizimin e ndërmarrësisë dhe ne si shtet dhe komunitet i shumë partnerëve jemi shumë të kënaqur me pozicionimin tonë në nivel botëror. Kosova, edhe pse një shtet i vogël, po depërton shpejt në nismat më të mëdha në botë për ndërmarrësi e inovacion, dhe kjo është si rezultat i punës dhe kontributit të secilit prej nesh, e posaçërisht bizneseve startup dhe ndërmarrësve të rinj”, deklaroi Begu.

Në këtë kongres, Kosova u rendit e dyta në vlerësimin global për kategorinë “Brand Champions” (çmim të cilin e kishte fituar më 2015), ndërsa Innovation Centre Kosovo ka arritur marrëveshje për t’i sjellë në vend edhe dy gara prestigjioze botërore: Entrepreneurship World Cup (Kupa Botërore e Ndërmarrësisë) e Creative Business Cup (Kupa e Bizneseve Kreative), si dhe partneritet me akseleratorin “Startup Genome” nga San Francisco.

Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë shënohet që nga viti 2013 dhe udhëhiqet nga ICK. Në edicionin e fundit kjo javë u shënua nga 50 organizata e institucione partnere, dhe u mbështet nga Ambasada e Suedisë, Ambasada e Norvegjisë, GIZ, Kuvendi i Kosovës, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ambasada e SHBA-së dhe EFSE.