Kosova, peng i kriminelëve dhe i hajdutëve

Kosova, peng i kriminelëve dhe i hajdutëve

Shkruan: Faik KRASNIQI

Kosova tash e 16 vjet ka mbetur peng i kriminelëve, hajdutëve, vrasësve, dallaveraxhinjve, mashtruesve, profiterëve dhe të korruptuarve të politikës dhe parapolitikës. Kjo klasë politike, korrupsionin, keqpërdorimet dhe pasurimin nga shteti dhe populli, e kanë shndërruar në kulturë të të jetuarit. Këta politikanë mafiozë dhe matrapazë, janë kujdesur nga fillimi, që organet e drejtësisë t’i kenë në duart e veta, në mënyrë që të jenë të lirë dhe të paprekshëm nga drejtësia, për krimet e tyre ekonomike, politike dhe krime të natyrave të ndryshme. Rrjetin e tyre kriminal e kanë shtrirë në të gjitha institucionet shtetërore – dhe me të drejtë mund të themi që sot Kosova është bërë pronë private e disa familjeve të fuqishme, dhe sundohet si 5 familjet e famshme mafioze njujorkeze, por për dallim nga këto rrjetet më të fuqishme kriminale në SHBA, këta mafiozë tanë vijnë nga politika dhe parapolitika! Këtë gjë më së miri e shpjegon, shkrimtari dhe publicisti italian, Roberto Saviano, në librin e tij më të fundit, “ZeroZeroZero”.

Cilat janë zgjidhjet?

Prandaj s’mund të flasim as për sundim të ligjit, as për zhvillim ekonomik, as për një shtet funksional e aq më pak për integrime evropiane, derisa në pushtet dhe skenën politike kemi këtë klasë politike mafioze dhe kriminale, që e rrënuan dhe degraduan këtë shtet. Ky vend mund të ecë përpara, madje me hapa shumë të shpejtë, nëse nga skena politike largohet kjo klasë politike mafioze dhe kriminale, dhe për një mandat katërvjeçar ose edhe dyvjeçar, të krijohet një Qeveri e shpëtimit kombëtar, nga njerëz të papërfolur, të aftë dhe me vlera e kontribute, kryesisht nga shoqëria civile, mediat, bota akademike dhe nga disa politikanë që akoma nuk i ka kapur virusi i korrupsionit dhe krimit. Nuk duhet të jenë ata që tërhiqen për hunde nga politika. Vetëm një Qeveri e tillë e shpëton Kosovën, e zhvillon ekonomikisht dhe e integron me hapa të shpejtë drejt BE-së.

U bënë milionerë – e ne u varfëruam!

Për këtë klasë politike mafioze dhe kriminale, që na treguan se çfarë janë në gjendje të na bëjnë, është e kotë të flasim, sepse janë të papërmirësueshëm. Kjo klasë politike është njëlloj, prandaj duhet t’i injorojmë të gjithë, sepse këta nuk e kanë hallin e shtetit dhe të popullit, por hallin e pushtetit dhe të xhepit! Vetëm të mendojmë për një çast se falë kujt jemi në këtë gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike – falë kujt kemi një arsim të degraduar dhe shëndetësi të sëmurë?
Falë këtyre banditëve dhe kriminelëve të politikës, të cilët me votën tonë qe 16 vite rresht po i mbajmë në pushtet dhe me paratë tona u bënë milionerë – e ne u varfëruam!
Prandaj, s’duhet t’i marrim as seriozisht, por thjesht t’i injorojmë dhe t’i trajtojmë si kriminelë dhe banditë.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.