Futbollistet e Përfaqësueses së Kosovës synojnë fitore në ndeshjen kundër Estonisë, që luhet në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2021”.

Kapitenia Edona Kryeziu është shprehur optimiste në konferencën për shtyp të mbajtur të enjten. Ndeshja mes Kosovës dhe Estonisë do të zhvillohet të premten (sot) prej orës 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe i takon Grupit A të eliminatoreve, transmeton KOHA.

Kosova zë vendin e katërt në grup me gjashtë pikë të mbledhura pas pesë ndeshjeve të zhvilluara derisa Estonia është e pesta me një pikë dhe ka një ndeshje më pak të luajtur.

Kosova po e kërkon fitoren e dytë ndaj Estonisë. Këtë përfaqësuese e kishte mposhtur me shifrat 2:1 në tetor të vitit të shkuar.

Grupit A të eliminatoreve i prin Holanda me 18 pikë, e ndjekur nga Rusia dhe Sllovenia me nga nëntë pikë të mbledhura derisa Turqia është e fundit me vetëm një pikë.

“Këtë herë jemi në një situatë krejtësisht tjetër për shkak të pandemisë, por pavarësisht situatës ne do të futemi në ndeshje për të fituar. Edhe në duelin e parë ndaj Estonisë, që e kemi fituar, ka qenë vështirë, kështu që as tash nuk do të jetë lehtë. Jemi përgatitur mirë dhe besoj që të marrim një rezultat pozitiv”, ka insistuar Kryeziu.

Kosova të hënën i ka nisur përgatitjet për duelin me Estoninë, kryesisht me futbolliste të klubeve vendore. Shumica e atyre që luajnë në Evropë nuk kanë udhëtuar shkaku i situatës me pandeminë.

Të vetmet lojtare që i janë bashkuar Kosovës për këtë ndeshje e që bëjnë karrierë jashtë vendit janë Erëleta Mehmeti dhe Edona Kastrati.

Optimiste sikurse kapitenia Kryeziu është treguar edhe Mehmeti, e cila është pjesë e skuadrës së Freiburgut nga Gjermania. Mehmeti ka pranuar se nuk ka qenë e lehtë ardhja në Kosovë dhe ka shtuar se pret fitore ndaj Estonisë, që e vlerëson si një kundërshtare të fortë.

“Atmosfera në ekip është e mirë dhe pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi besoj në një paraqitje dhe rezultat të mirë. Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe pres që të angazhohemi maksimalisht për të arritur synimin”, ka shtuar Mehmeti.

Përzgjedhësja Afërdita Fazlija ka pranuar se 70 për qind e ekipit përbëhet prej futbollistëve që bëjnë karrierë jashtë kufijve, por ka shtuar se Kosova do të mbështetet në kapacitetet që ka për ta dhënë më të mirën përballë Estonisë.