Në minutën e nëntë të ndeshjes të gjithë shikuesit në stadium ngritën lart letrat me numrin nëntë në to.

Kështu ata po nderonin legjendën Fadil Vokrri, që si lojtar kishte mbajtur fanellën me numrin nëntë dhe që ndërroi jetë më 9 qershor të këtij viti, shkruan sot “Koha Ditore”. Ishte moment emocional, që u parapriu momenteve të tjera të mëdha të takimit të së hënës mbrëma.

Edhe më shumë legjenda Vokrri u nderua në vazhdim të takimit. U nderua nga lojtarët e Kosovës që arritën te fitorja e madhe ndaj Ishujve Faroe. 2:0 në të mirë të Kosovës përfundoi takimi i luajtur në stadiumin e qytetit në Prishtinë, që tani e mban emrin e madh të legjendës së futbollit, “Fadil Vokrri”.

Ishte ndeshja e parë zyrtare garuese që Kosova e luajti në shtëpi, përkatësisht në stadiumin e rinovuar të qytetit në Prishtinë. Për këtë moment është pritur gjatë dhe interesimi i shikuesve ishte shumë i madh. Biletat ishin shitur brenda pak orëve javën e kaluar, ndërsa ato të hënën u shitën në treg të zi me çmim dukshëm më të lartë.