Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka komentuar deklaratat politike në Kosovë për bashkim me Shqipërinë.

Kosnett në një intervistë në ‘T7’ ka deklaruar se Kosova duhet të jetë pjesë e Evropës së madhe dhe jo Shqipërisë.

“Mendoj se e ardhmja e Kosovës nuk qëndron në izolim, apo të përdor fjalën tuaj, të jetesës në geto. Kosova duhet që të jetë pjesë e Evropës së madhe e jo vetëm e Shqipërisë së madhe”, tha ai.

Kandidati për president nga AAK, Ramush Haradinaj, gjatë fushatës zgjedhore të 14 shkurtit kishte përmendur referendumin për bashkim me Shqipërinë.

Ndërsa, më herët edhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti e kishte përmendur një gjë të tillë dhe ditë më parë kishte deklaruar se nëse bëhet një referendum i tillë, ai do të ishte pro.