Ka shkuar në nëntë numri i viktimave nga Podujeva, të cilët përveç që kanë pasur sëmundje tjera, kanë qenë të infektuar edhe me virusin korona. Rasti i fundit me fatalitet ka qenë nga fshati Sallabajë i kësaj komune, raporton Llapi.info.

Përveç rritjes së numrit të viktimave, është rritur ndjeshëm edhe numri i rasteve të reja me COVID-19 në Llap. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së dhe koordinatorja e shtabit emergjent në Podujevë, Bedrie Rama.

Sipas saj, nga këto raste ka edhe mërgimtarë që kanë ardhur për pushime në vendlindje.

“Shtatë raste të reja me COVID-19 në Podujevë janë konfirmuar nga IKSHPK-ja. Katër raste janë nga qyteti dhe me nga një rast në fshatrat; Dyz, Shtedim dhe Dobërdol. Të infektuarit e sotëm ka që punojnë në një organizatë në Prishtinë. Po ashtu, i konfirmuar me koronavirus është edhe një bashkatdhetar. Numri i rasteve po rritet, ndërsa sot ka shkuar në 140. Deri më tani i kemi nëntë raste me fatalitet, i fundit ka qenë nga fshati Sallabajë. Testime këtë vikend s’kemi, kurse jemi në pritje të rezultateve të bëra të enjten për 24 qytetarë”, ka thënë Rama.

Deri më tani në Podujevë pozitivë kanë rezultuar 282 persona. Prej tyre, 9 pacientë tashmë kanë ndërruar jetë, kurse janë testuar rreth 900 llapjanë. Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë, Zaim Thaçi, lirimi i masave në fillim të qershorit ka ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në Podujevë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar të shtunën 224 raste të reja të prekura me koronavirusin e ri, pas marrjes së 434 mostrave.

Sipas këtij Instituti, përgjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur nëntë pacientë të prekur me sëmundjen COVID-19, që shkakton ky virus, duke e çuar numrin total të viktimave në 236.

Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka shkuar në 8,554, gjersa raste aktive vazhdojnë të mbeten edhe 3,588./Llapi.info