Agjencioni Kundër Korrupsionit (AKK), ka evidentuar shkelje ligjore në tenderin për “Furnizim me material higjienik” të Komunës së Podujevës. Në këtë tender, Komuna si Autoritet Kontraktues ka bërë specifikime teknike të artikujve, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për prokurim publik, njofton Llapi.info.

Komuna e Podujevës tenderin e ka hapur duke specifikuar prodhues dhe operatorë të caktuar, derisa sipas opinionit të AKK-së, janë eliminuar të tjerët.

Sipas AKK-së, autoriteti kontraktues e ka të ndaluar që të hartojë specifikime teknike që favorizojnë dhe diskriminojnë një ose më shumë operatorë ekonomikë apo prodhues të caktuar në treg.

Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra nga Sistemi Elektronik i Prokurimit, ka konstatuar se autoriteti kontraktues, për këtë aktivitet të prokurimit ka paraparë procedurën e hapur në vlerën të mesme të parashikuar prej 72 mijë eurosh.

“Agjencia pasi ka analizuar me kujdes njoftimin për kontratë, dosjen e tenderit dhe specifikimet teknike, vëren se tek Aneksi 1, Autoriteti Kontraktues ka emërtuar artikujt si në vijim: artikulli nr.12 Vim 500gr, artikulli nr.14 Varakin, artikulli nr.15 Domestos, artikulli nr.23 Shampon për tavolina (politura), artikulli nr.42 Vim i lëngët dhe artikulli nr.51 Avaks për banjo, artikuj të  cilët janë specifikuat nga njësia kërkuese në atë mënyrë që i përshtatën prodhuesve të caktuar dhe eliminojnë prodhuesit tjerë”, thuhet në arsyetimin e këtij opinioni të Kundër Korrupsionit.

Me këtë rast, Kundër Korrupsioni konsideron se kjo bie ndesh me nenin 7 Barazia në Trajtim/Jo-diskriminim nenin 27 Dosja e Tenderit, nenin 28 Specifikimet teknike të Ligjit për prokurimin publik….si dhe nenin 20 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik.

“Duke vepruar në këtë mënyrë Autoriteti Kontraktues ka shkelur nenin 7 dhe 28 të Ligjit për prokurimin publik në Republikën e Kosovës. Në paragrafin 1 (neni 7 v.j.) në mënyrë decidive thuhet se ‘Autoriteti kontraktues do t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jodiskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente”, thuhet tutje.

Në paragrafin 2 të të njëjtit nen parashihet që autoriteti kontraktues nuk do të ekzekutojë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton apo eliminon konkurrencën në mes të operatorëve ekonomikë ose që diskriminon në dëm ose në të mirë të një ose më shumë  operatorëve ekonomikë. Pastaj, sipas paragrafit pasues, nuk duhet zgjedhur një procedurë të prokurimit, ose duke vendosur një kërkesë ose kriter të përzgjedhjes ose specifikacion teknik që në ndonjë mënyrë ka për qëllim të favorizojë ose diskriminojë kundër njërit ose më shumë operatorëve ekonomikë.

“Në paragrafin 4 parashihet se ‘autoriteti kontraktues nuk do të krijojë ose imponojë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar krijimin ose imponimin e rrethanave ose kushteve që rezultojnë në diskriminim territorial, fizik, material, personal ose organizativ ndërmjet operatorëve ekonomikë”, thuhet tutje në arsyetimin e këtij opinioni të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

AKK-ja iu ka referuar paragrafëve 2 dhe 7 të nenit 28 të LPP-së, sipas të cilëve, autoriteti kontraktues e ka të ndaluar që të hartojë specifikime teknike që favorizojë ose diskriminojë një ose më shumë operatorë ekonomikë dhe po ashtu se specifikime teknike autoriteti kontraktues mundet të hartojë ose të bëjë në kushte të jashtëzakonshme kur në mënyrë të qartë vërteton se nuk është e mundur që të përpilojë një specifikim mjaft të saktë dhe të kuptueshëm të lëndës së kontratës përkatëse, në pajtim me paragrafin 3-6 të këtij neni, me kusht që, çfarëdo referimi i tillë të shoqërohet me fjalët “ose ekuivalent”.

“Konsiderojmë se shkelje të tilla nuk duhet lejuar në aktivitete të prokurimit, andaj Agjencia Kundër Korrupsionit rekomandon që të evitohen këto shkelje përmes njoftimit standard për informata shtesë dhe për përmirësimin e gabimeve, duke i njoftuar operatorët të cilët e kanë tërhequr dosjen e këtij tenderi”, thuhet në arsyetimin e Kundër Korrupsionit.

Tutje, Kundër Korrupsioni ka kërkuar nga Komuna e Podujevës që t’i ndërmerr të gjithë veprimet e nevojshme drejt evitimit të shkeljeve të evidentuara në lidhje me tenderin “Furnizim me material higjienik” me numër të prokurimit 615-20-3278-1-2-1 dhe më nr. të brendshëm 61520058121, në mënyrë që të respektohen dispozitat përkatëse të Ligjit për prokurimin publik.

Duhet theksuar se Agjencia Kundër Korrupsionit ka gjetur shkelje nëpër tenderë të Komunës së Podujevës edhe më parë, teksa një i tillë është konstatuar muaj më parë në vazhdimin dhe rregullimin e lumit Llap./Llapi.info