Ka filluar senaca e Kuvendit të Kosovës e cila shënon 31-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, në fjalimin e mbajtur para deputetëve ka theksuar se 2 korriku ishte momenti kyç i shprehjes së vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës.

“Jemi mbledhur bashkë për ta shënuar një datë të rëndësishme për historinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Me 2 korrik të vitit 1990, delegatët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës e shpallën atdheun tonë Republikës. Në atë kohë ky ishte akti më i rëndësishëm i përfaqësuesve të popullit qysh pas konferencës së Bujanit. Para dyerve të Kuvendit të sotshëm, delegatët e Kuvendit të atëhershëm e votuan deklaratën e 2 korrikut të cilën e lexoi Muharrem Shabani”.

“Kjo shpallje ndodhi në okupim, vendi ynë ishte i pushtuar dhe nën masat e ashpra të regjimit të Serbisë dhe Jugosllavisë të asaj kohe. Një popull i tërë u bë cak i ndëshkimeve të ashpra, burgosjeve të vazhdueshme, dhunës policore, vrasjeve në ushtri e qindra vrasjeve të qytetarëve në protesta dhe demonstrata”, tha ai.

Tutje Konjufca ka thënë se 17 shkurti i vitit 2008 i ka rrënjët në 2 korrikun e vitit 1990.

“Sa e gjatë dhe e vështirë ishte përpjekja jonë për liri e pavarësi dhe sovranitet. Ishte një punë titanike e plot brezave të mbushur me sakrifica të panumërta gjatë të cilave një popull i tërë nuk kurseu asgjë për t’u çliruar. Lufta e drejtë dhe rënia e dëshmorëve e martirëve ja dhanë vulën lirisë sonë mbi të cilën s’ka më kompromise të mëtutjeshme”, tha Konjufca.