Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka bërë homazhe te lapidari i të rënëve në Lagjen e Trimave (ish-Tusus) në Prizren, ku para 22 vitesh forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan 27 banorë të kësaj lagjeje.

Krykuvendari Konjufca tha se është në këtë vend për të nderuar dhe për t’u përkulur para të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për liri, duke përmendur Lagjen e Trimave si një shembull se si duhet rreshtuar në krah të luftës çlirimtare. Por, shtoi ai, ajo që brenë ndërgjegjen e të gjithëve për këto krime të kryera anekënd Kosovës nga regjimi i Serbisë, duke mos kursyer as gra e fëmijë, është fakti se ende nuk është dënuar askush.

“Ata që kanë kryer këtë masakër dihen me emër e mbiemër dhe vazhdojnë të jetojnë të lirë, pa marrë dënimin e merituar. Prandaj, është obligim i institucioneve të Kosovës dhe i secilit prej nesh që të bëjmë më shumë seç është bërë deri me tani. Të shpalosim identitetin e atyre që kanë kryer këto masakra dhe të bëjmë presion edhe te bashkësia ndërkombëtare për gjetjen e kapjen e tyre dhe të njëjtit të sillen para drejtësisë”, tha kryekuvendari Konjufca.

Tutje ai theksoi se tashmë edhe Kosova e ka mundësinë që t’i gjykojë kryerësit e krimeve edhe në mungesë, meqë tashmë ekziston edhe ligji.

“Ndryshimi i ligjit mundëson gjykimin në mungesë dhe nuk ka asnjë justifikim për të mos filluar këto procese për secilin që dihet me emër dhe mbiemër se ka urdhëruar apo ka qenë pjesëmarrës i shumë masakrave të kryera në Kosovë”, tha z.Konjufca.

Kreu i Kuvendit qëndroi edhe në shtëpitë e disa banorëve të kësaj lagjeje, familjarët e të cilëve janë vrarë në masakrën e 26 majit të vitit 1999. Me këtë rast ai u premtoi atyre angazhim institucional për ndëshkimin e kriminelëve.