Ka arritur në 79 numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë, pas 8 rasteve të reja të konfirmuara sot, njofton Llapi.info.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një njoftimi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK).

“Sot me 26.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar tetëdhjetë e nëntë (89) mostra të marra nga rastet e kontakteve në terren si dhe të rasteve të hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, tetë (8) prej prej tyre kanë rezultuar pozitive. Sot kemi lajmin e mirë se një pacient është i shëruar bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore.

Rastet e konfirmuara pozitive janë 4 raste kontakti me vendbanim në Studime të ulët Vushtrri, 3 raste me vendbanim në Prishtinë dhe 1 rast kontakti me vendbanim në Llugagji-Pejë”, thuhet në njoftim.

“Nga data 08.02.2020 deri me 26.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 855 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej shtatëdhjetë e nëntë (79) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 1514 kontakte të rasteve”, thuhet tutje./Llapi.info