Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka mirëpritur masat e reja anti-Covid, të miratuara nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së premtes, raporton Express

Këtë për Express e ka thënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

“Komunat i kanë mirëpritur masat anti-Covid të miratuara nga Qeveria e Kosovës. Në takimin e fundit që kemi pasur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, jemi dakorduar që të ketë lehtësim të masave. Po ashtu jemi dakorduar që të ketë lehtësira që kanë ndikim në zhvillim ekonomik lokal
“, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi deklaroi se komunat po bëjnë përgatitje për pritjen e mërgatës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të premtes ka miratuar masat e reja anti-Covid të cilat do të hyjnë në fuqi nga kjo e hënë.

Orari i gastronomisë është zgjatur deri në orën 23:00, ora policore është larguar, por ka hyrë në fuqi vendimi që pas orës 00:00 deri në orën 05:00 të mos ketë grumbullime të qytetarëve.

Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim që të lejohet mos bartja e maskës gjatë kohës kur një qytetar ecë i vetëm në rrugë.