Përderisa është duke vazhduar greva nga shoferët dhe pronarët e autobusëve, Komuna e Podujevës thotë se do të largohen të gjithë taksitë ilegal, raporton Llapi.info

Këtë e ka bërë të ditur për ‘Llapi.info’, shefi i zyrës për informim në komunën e Podujevës Nazmi Elezi. Ai shtoi se Inspeksioni komunalë, janë vazhdimisht në teren, duke ndërmarrë masat adekuate ndaj taksistëve ilegal.

“Inspektorët komunalë të komunikacionit vazhdimisht janë në teren dhe ndërmarrin adekuate masat ligjore ndaj taksistëve ilegalë, që operojnë në territorin e komunës së Podujevës” tha Elezi.

Tutje Elezi tha se “Inspektorët komunalë do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre në parandalimin e operimit të gjithë taksistëve ilegalë në komunën e Podujevës”.

Elezi tha se vetëm gjatë muajit shkurt, tasksitëve ilegal në Podujevë u janë konfiskuar 51 automjete.

“Në një operacion të përbashkët me inspektorët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policinë e Kosovës, gjatë muajit shkurt, taksistëve ilegalë u janë konfiskuar 51 automjete dhe janë bërë 51 aktvendime dhe 58 procesverbale ndaj tyre. Ndërsa gjatë vitit 2017 inspektorët komunalë të komunikacionit rrugor kanë realizuar 1,505 kontrolle të rregullta inspektuese të përbashkëta” përfundoi ai.

Mirëpo, përderisa është duke u mbajtur greva nga shoferët e autobusëve, taksistët ilegal ishin në vendin ku qëndrojnë zakonisht. Ndërsa, tani për shkak numrit të madh të udhëtarëve vetëm njëri nga ta kishte mbetur para se të nisej për në Prishtinë./Llapi.info