Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), ka reaguar pas zbulimit  të pllakës përkujtimore me emrat e të rënëve nga bombardimi i autobusit në Urën e Lluzhanit, raporton Llapi.info.

FDHK thotë se në këtë pllakë janë vendosur emrat e 31 cilëve shqiptarë, por, sipas FDHK-së, aty u vranë edhe 13 serbë dhe kërkon të përfshihen në këtë pllakë përkujtimore.

“Në përvjetorin e 22-të të ngjarjes tragjike në urën e Lluzhanit, me datë 1 maj 2021, në vendin e ngjarjes është përuruar pllaka përkujtimore kushtuar viktimave, e ngritur nga Komuna e Podujevës. Në pllakën përkujtimore janë shënuar emrat e 31 viktimave të nacionalitetit shqiptarë, duke përjashtuar edhe 13 viktima serbe që po ashtu humbën jetën në këtë ngjarje. Kryetari i Komunës së Podujevës z. Shpejtim Bulliqi përmes një postimi në Facebook, mes tjerash, deklaroi ‘… kemi shpalosur pllakën përkujtimore me të gjithë emrat e viktimave që kanë pësuar nga kjo tragjedi’. Për informim të publikut, sipas të dhënave të deritashme të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), me datën 1 maj të vitit 1999, rreth orës 13:00, NATO goditi autobusin e Nish Ekspresit, i cili në atë moment gjendej mbi urën e Lluzhanit dhe po qarkullonte në drejtim të Prishtinës. Si pasojë e kësaj ngjarje, humbën jetën 44 persona. Ndër ta ishin 31 civilë shqiptarë dhe 13 serbë, në mesin e të cilëve 7 civilë”, thuhet në reagimin e FDHK-së.

 “Veçanërisht kur institucionet lokale dhe shtetërore kontribuojnë në fuqizimin e narrativave të njëanshme që vënë përpara versione selektive të historisë. Mohimi i viktimave në baza etnike, është fyerje për viktimat dhe familjaret e tyre si dhe thellon përçarjet mes komuniteteve në Kosovë. Prandaj, FDHK-ja kërkon nga Komuna e Podujevës që pllaka përkujtimore të paraqes drejtë ngjarjen e 1 majit të vitit 1999, duke përkujtuar kështu të gjithë ata që kanë humbur jetën në atë ngjarje”, thuhet tutje në reagim.

Ndërkohë, në 22-vjetorin e bombardimet t ë autobusit në Urën e Lluzhanit, në atë vend është zbuluar pllaka përkujtimore me emrat e viktimave. Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka shtuat se ky monument u ndërtua nga Komuna e Podujevës, por me iniciativë të përbashkët me familjet e viktimave.

“Për ndër të këtij përvjetori, ne si institucione lokale, në bashkëpunim me familjet e viktimave, kemi iniciuar ndërtimin e kësaj pllake përkujtimore me emrat e viktimave që kanë pësuar, në mënyrë që në secilin përvjetor ta kemi një vend ku i nderojmë. Nga sot merr fund praktika që ishte deri më tani, ku homazhet e nderimet bëheshin mbi urë, duke rrezikuar edhe shëndetin dhe jetën e familjarëve. Kujtimi për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve na udhëzon për punë të mira, për ecje të drejt dhe na e përkujton se rruga përpara duhet të jetë rruga e ndërtimit dhe e forcimit të shtetit tonë”, ka thënë Bulliqi./Llapi.info