Foto: Llapi.info

Zyra Kombëtare e Auditimit ka pasqyruar një sërë shkeljesh financiare për vitin 2017 në komunën e Podujevës, njofton Llapi.info

Sipas ZKA-së, komuna e Podujevës ka bërë pagesa pa pranuar mallra.

Njëra ndër to është edhe Inventari i objektit të ri komunal. Për këtë projekt në vlerë prej 74, 092 euro, komuna e Podujevës ka bërë pagesën e parë prej 61, 124 mijë euro në dhjetor të vitit të 2017.


“Sipas zyrtarëve, inventari nuk ishte pranuar në tërësi meqë në objektin e ri kishte pasur rrjedhje uji dhe inventari gjendej në mobilierinë e kontraktuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se në lëndë nuk kishte ndonjë dokument që vërtetonte krijimin e kushteve të tilla, raportimin e gjendjes ose të dokumenteve që vërtetonin se inventari gjendet tek operatori ose që pronësia i takon Komunës.

“Vlera për inventarin i cili nuk ishte në objekt por për të cilin ishte kryer pagesa ishte 52,384 euro. Kryerja e pagesave në mungesë të pranimit faktik të mallrave ose të punëve bie ndesh me rregullat financiare për shpenzimin e parave publike dhe përbën rrezik të vazhdueshëm që Komuna të humbë paratë e dhëna. Gjithashtu, veprimet e tilla lënë hapësirë për dyshime se Komuna përfshihet në marrëveshje verbale joligjore me operatorët ekonomikë vetëm në mënyrë që pagesat t’u kryhet sa më parë operatorëve”, thuhet tutje në raport.

Në këtë rast ZKA-ja ka rekomanduar që kryetari duhet të sigurojë se çdo organ mbikëqyrës, komision pranimi ose menaxher kontrate është përgjegjës për veprimet që ndërmerren me rastin e furnizimit të mallrave.

“Për rastin në fjalë, të ndërmerren masat që sa më parë të kryhen furnizimet dhe të krijohet një komision i veçantë, i cili do të pranojë me saktësi inventarin e porositur”, thuhet në raportin e ZKA-së.