Komunarët e Podujevës nuk kanë gjetur zgjidhje me banorët e fshatit Revuçë as pas 11 vjetësh për të realizuar projektin e ujësjellësit për gjashtë fshatra nga burimi i Vrellës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe pse banorët e fshatrave Metehi, Zakut, Dobërdol, Kërpimeh, Pakashticë e Epërme dhe Pakashticë e Poshtme që nga viti 2006 kishin grumbulluar sipas banorëve 115 euro, ndërsa sipas zyrtarëve komunalë 71.600 euro, prapëseprapë ky projekt nuk u realizua kurrë.

Zyrtarët komunalë fajin ua kanë lënë banorëve të fshatit Revuçë, të cilët, sipas tyre, nuk i kanë lënë ta marrin ujin nga ky burim. Zëdhënësi Nazmi Elezi ka thënë se Komuna e Podujevës ka shprehur gatishmëri për të realizuar këtë projekt, por kjo është penguar nga komuniteti i fshatit.

“Në emër të realizmit të projektit ‘Vrella e Revuçit’ banorët kanë grumbulluar 71.600,00 euro. Komuna vazhdimisht ka treguar gatishmëri për realizimin e këtij projekti, por projekti nuk është kryer për shkak të pengesave nga komuniteti i fshatit Revuçë. Rrjeti i gypave është shtrirë, ka mbetur edhe pak punë që projekti të finalizohet, nëse eliminohen pengesat nga komuniteti”, ka thënë Nazmi Elezi.