Komuna e Podujevës është obliguar ta lirojë pronën për ndërtimin e memorialit të heroit Afrim Zhitia, raporton Llapi.info.

Ky vendim është marrë në seancën e djeshme të Kuvendit të Komunës së Podujevës, me ç’rast Komuna obligohet t’i hapë rrugë për ndërtimin e këtij memoriali në fshatin Llugë.

Mosrealizimi i këtij memoriali deri më tani ka mbetur peng si rezultat i uzurpimit të pronës nga banorët e këtij fshati. Këtë kërkesë në seancën e rregullt e ka paraqitur këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica.  

“Kërkoj marrjen e masave dhe lirimin e hapësirës publike pranë obeliskut Afrim Zhitia dhe organizimi dhe krijimi i kushteve për rifillimin e punimeve në këtë projekt nga organet kompetente të ekzekutivit komunal të Podujevës. Ky ka qenë premtim edhe i Lëvizjes Vetëvendosje. Kërkoj nga Inspektorati që ta kryejë punën sa i përket pronës aty”, është shprehur Llapashtica.

Ndërkaq, këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, duke shtuar se e përkrahin këtë nismë, ka thënë se kjo çështje ka kaluar në Gjykatë qysh nga viti 2016.

“Kërkesa ka qenë edhe më herët dhe kjo është shtyrë pasi edhe unë kam qenë pjesë e këtyre bisedave. Më 2016 kemi qenë në takim me ish-kryetarin Agim Veliu, ish-këshilltarë komunalë dhe ish-drejtorë, ku në atë takim është vendosur që kjo cështje të trajtohet pa vendimit të Gjykatës”, ka thënë Haki Rudari.

Kurse, shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti, ka shtuar se kjo çështje, sipas tij, është e ekzekutivit.

“Nëse lënda ka shkuar në gjykatë, duhet ta presim vendimin e gjykatës. Ne nuk mund t’ia imponojmë temat ekzekutivit. Askush nuk është kundër këtij obeliskut, askush nga grupet parlamentare”, ka thënë Ajeti.

Por, këshilltari Llapashtica ka theksuar se e dinë qëndrimin e ish-kryetarit të Komunës edhe të ish-pushtetit në përgjithësi.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se aq sa ka njohuri ekziston një kontratë e vitit 2007 ku jepen në shfrytëzim për obelisk 0.04 ha. Por, më vonë ka thënë se kjo sipërfaqe është rritur në më shumë se 2904m2, për të cilën gjë ka thënë se për aq sa e di nuk ka marrë vendim Kuvendi.

“Është një aktvendim i datës 25.01.2016 që është tentuar të bëhet një kallëzim penal ndaj individëve, por që është hedhur si i pabazë. Unë mendoj se nuk kemi nevojë të ngutemi. Është e vërtetë që mund të mos e dimë çfarë ka ndodhur në këta 20 vjet. Askush nuk është kundër obeliskut. Është dhënë në shfrytëzim 0.04 ha, ndërsa projekti në fjalë parasheh një hapësirë tjetër. E lëmë në këtë seancë, pas kësaj seance ju pres në zyrë dhe diskutojmë. Pa dashur ta qes asnjë grup keq – dikush patriot, dikush tradhtar”, është shprehur Bulliqi.

Pas diskutimeve dhe kërkesës që ky propozim të hidhet në votim, i njëjti më pas miratua me të gjitha votat pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndryshe, ndërtimi i këtij memoriali u pamundësua për shkak të uzurpimit të pronës nga disa banorë të fshatit, punimet të cilat u patën ndërprerë në vitin 2014. Që nga atëherë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si financuese e projektit, ishte në pritje të një leje nga Komuna e Podujevës për t’i rifilluar punimet. Në vitin 2018, udhëheqja komunale e LDK-së ishte arsyetuar se po e priste vendimin e Gjykatës rreth kësaj prone, edhe pse Prokuroria i kishte hedhur poshtë pretendimet e banorëve aty. LDK, e cila qeveriste asokohe me Podujevën kishte refuzuar që t’i jepte lejen MMPH-së për ndërtimin e këtij memoriali në fshatin Llugë të Podujevës, pa ndonjë vendim të Gjykatës./Llapi.info