Ekzekutivi komunal është akuzuar nga partitë opozitare (LDK dhe PDK), për keqpërdorim të buxhetit, derisa kanë thënë se janë rritur shpenzimet në disa kode, shkruan Llapi.info.

Këto akuza janë drejtuar tek komunarët në Kuvendin e Komunës, në pikën kur po diskutohej raporti financiar i Komunës së Podujevës për periudhën janar – mars 2021, raport të cilin e ka paraqitur para asamblesë komunale drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani.

Osmani ka thënë se qëllimi i këtij raporti, sipas tij, është që të prezantohet një pasqyrë e aktiviteteve financiare të zhvilluara gjatë tre mujorit të vitit 2021.

Sipas drejtorit Osmani, buxheti i miratuar Komunës së Podujevës për vitin 2021 në total, për të gjitha kategoritë buxhetore, është 23, 853, 654 euro. Prej tyre në tre mujorin e parë të vitit 2021 (janar-mars), në të gjitha kategoritë buxhetore janë shpenzuar 3,859,651 euro.

Në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Mehmet Gashi, ka thënë se përgjatë këta 3 muajve, siç ka thënë ai, janë kryer pagesa për punëtorë më shumë se 80 mijë euro.

“Shpenzimi për këtë periudhë për tre muaj tregon se te pagat e kemi një tejkalim për 80 mijë e 625 euro. Pra, është shpenzuar më shumë se sa që kemi buxhet për këtë periudhë. Nëse shkon me këtë trend, mund të arrihet deri në 322 mijë euro brenda vitit”, është shprehur Gashi.

Të njëjtën akuzë e ka dhënë edhe këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, i cili ka pyetur ekzekutivin se si mund të paguhet më shumë paga se sa që ka punëtorë.

“Ashtu edhe si në të kaluarën, edhe në këtë qeverisje, shohim një dinamikë të ulët të projekteve dhe zhvillimit të Komunës. Nga mbi 700 mijë euro, vetëm mbi 200 mijë euro janë shpenzuar. Ashtu edhe si në të kaluarën do të kemi suficit buxhetor, ndërsa ka probleme në infrastrukturë, shëndetësi dhe në sektorë të tjerë. Në vitin 2020 janë neglizhuar tre milionë euro, për arsye të mos-aftësisë së personave kompetentë. Në bazë të këtij raporti, pagesa mbi 8 për qind për paga. Si ka mundësi që me u pagua rroga më shumë se sa që ka punëtorë? Qysh janë bërë këto pagesa?”, është shprehur Llapashtica, duke përmendur edhe shpenzimet tjera, të cilat, sipas tij, janë keqpërdorur.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Financa, Fatlum Osmani, duke mos specifikuar këtë, ka thënë se Ministria e Financave, siç ka thënë ai, ka kthyer prapa për shkak të bilancit bankar 102 mijë euro.

“Rritja e shpenzimeve në disa kategori, duhet edhe një çështje tjetër. Janë afër 102 mijë euro që kur janë paguar në fund të vitit 2020, kur ne kemi ardhur në dhjetor, ministria e Financave për shkak të bilancit bankar i ka thyer prapa dhe rrjedhimisht ato fatura është dashur me u pagua për herën e dytë, pasi qytetarëve dhe operatorëve tjerë s’u kanë dalë mjetet”, ka deklaruar ai.

Këshilltarët opozitarë kanë hedhur kritika të shumta edhe për shpenzimet që janë bërë në këtë tre muaj për telefonata, derivate dhe dreka zyrtare, e që këto shpenzime i kanë pranuar vetë pushteti, duke i arsyetuar ato./Llapi.info