Komuna e Podujevës po vazhdon mos t’i ketë fare mirë punët për sa i përket nivelit të performancës, shkruan Llapi.info.

Sikurse më parë, edhe kësaj here kjo komunë është renditur e fundit në raportin e publikuar nga Ministria e Pushtet Lokal (MAPL).

Sipas këtij raporti, kjo komunë del të jetë e fundit në Kosovë, e menjëherë pas saj renditen komunat ku udhëheqin komunitetet joshqiptare.

Komunat të vogla si: Zubin Potoku, Parteshi, Ranilligu e Graçanica në performancë janë thuajse me përqindje të njëjtë me Komunën e Podujevës. E për këtë kanë reaguar edhe këshilltarët opozitarë.

Matja e performancës është një proces i udhëhequr nga Ministria e Pushtetit Lokal, ku komunat raportojnë të dhëna mbi përmbushjen e standardeve qeverisëse. Në të njëjtin vend është renditur Podujeva edhe viteve paraprake.

Raporti i vlerësimit të performancës së Komunave e ka nxjerrë komunën e Drenasit si komunën me performancën më të mirë krahasuar me të gjitha komunat e vendit. Drenasi ka arritur të përmbushë 77.04% të kritereve vlerësuese pasuar nga Hani i Elezit me 75.78% dhe Rahoveci me 75.20%./Llapi.info