Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, dhe drejtori i Organizatës “Developing Togther” (DT), Drilon Tafallari, kanë nënshkruar sot Memorandum mirëkuptimi për përpilimin e Programit trevjeçar për banim të Komunës së Podujevës.

Në kuadër të projektit i cili mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës, kurse menaxhohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, ka për qëllim përpilimin e përbashkët të një programi për banim, përmes të cilit komuna do të ketë mundësi që në mënyrë profesionale të planifikojë adresimin e çështjeve të banimit për kategoritë e popullsisë që nuk kanë fuqi ekonomike për të siguruar banim të përballueshëm.

Ndërsa kryetari Veliu shprehu përkrahjen për realizimin e këtij projekti dhe premtoi bashkëpunim të plotë në realizimin e tij, drejtori ekzekutiv i DT, Drilon Tafallari, e njoftoi për aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të projektit.

Në takim ishte prezent edhe Zaim Thaçi, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dikaster i cili do të ketë angazhimin kryesor në zbatimin e këtij projekti./Llapi.info