Tregu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është mësyrë nga kompanitë kosovare, që kanë rritur eksportin e mallrave rreth 200 milionë euro për këtë vit, deri më tani nga fillimi i vitit. Në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më herët, kjo paraqet rritje prej 70 për qind.

Siç kanë bërë të ditur nga Dogana e Kosovës, deri tash janë mbledhur mbi 412 milionë euro. Zëdhënësi Adriatik Stavileci ka thënë se krahasuar me vitin paraprak, përqindja e të hyrave është rritur për 25 për qind, ndërsa me vitin 2019, rritja është 12 për qind. Stavileci ka thënë se periudha e deritashme në vitin 2021, është ndër më të mirat që nga themelimi i Doganës.

“Deri tani kemi arritur të mbledhim mbi 412 milionë euro, të cilat nëse krahasohen me periudhën e njëjtë paraprake, nënkupton që kemi të hyra më shumë për 25 për qind. Pra vitin e kaluar kemi pasur rreth 330 milionë, kështu që tani dallimi është 80 milionë më shumë, por sidoqoftë nëse shikohet në aspektin statistikor, viti i kaluar ka qenë periudha e pandemisë, ka qenë ekonomia e mbyllur në atë kohë, nuk është ndoshta viti më i mirë krahasimor. Për këtë arsye, Dogana e krahason edhe me vitin 2019 ku ne nuk kemi pasur masa kundër pandemisë, kur nuk ka ekzistuar pandemia. Por edhe me vitin 2019, në atë kohë kemi pasur 370 milionë, kështu që edhe me atë kohë jemi 12 për qind më shumë. Në përgjithësi performanca e Doganës është shumë e mirë, ka rritje të hyrave, por nuk mund të ketë performancë të mirë po nuk pati ekonomia e Kosovës në përgjithësi një performancë të mirë”, ka deklaruar ai për “EkonomiaOnline”.

Stavileci ka thënë se në Kosovë është regjistruar rritje e importit, por ajo që ka rënë në sy më shumë është rritja e eksportit prej më shumë se 70 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Sa i përket importit ne kemi pasur rritje të vlerave të importit në këtë periudhë. Nëse vitin e kaluar kemi pasur total 1.2 miliardë importi i gjithmbarshëm në raportin e vlerës, tani kemi 1.7 miliardë. Pra ka rritje të vlerave të importit, rritje të qarkullimit, të konsumit, në të gjitha aspektet. Por një zhvillim tjetër më interesant për ekonominë, është rritja e eksportit. Ne kemi arritur të rrisim eksportet. Në krahasim me vitin e kaluar, që viti i kaluar ka qenë një prej viteve më të mira të eksportit në Kosovë, ne tani jemi në rreth 200 milionë euro mallra të eksportuar, që në raport me vitin e kaluar kur kemi pasur 116 milionë euro, nënkupton se ka një rritje rreth 70 për qind më shumë mallra të eksportuar. Është me të vërtetë një prej zhvillimeve më interesante të ekonomisë të Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka treguar se eksporti në drejtim të SHBA-së ka shënuar rritje. Kësaj rritje të eksportit i ka kontribuar statusi preferencial tregtar, që Kosova gëzon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, status ky që i lejon dërgimin e mallrave të liruara nga detyrimet doganore, me qëllim të promovimit të rritjes ekonomike në shtetet në zhvillim.

Stavileci thotë se produktet që eksportohen më së shumti janë mbetjet e metaleve, ndërsa thekson se ka rritje edhe të industrive të reja si ajo e pijeve dhe prodhimi i mobilierive.

“Kosova në aspektin e importit, importon mallra kryesisht nga Bashkimi Evropian, nga vendet e rajonit të CEFTA-së, si dhe po ashtu nga Turqia dhe Kina. Në aspektin e eksporteve kemi mallra që eksportohen në drejtim të SHBA-së, tani kemi edhe eksporte në vendet e rajonit, por kemi edhe eksporte në BE. Mund të them se nga produktet që eksportohen ende mbetet në top listë mbetjet e metaleve të ndryshme, por në rënie të vazhdueshme. Por ka disa industri të reja, si ajo e pijeve, prodhimi i mobilierive të cilat kanë filluar të rriten si në SHBA dhe në vendet e Unionit”, ka deklaruar ai.