Komisioni Evropian kërkon depolitizimin e institucioneve të pavarura

Një delegacion i Komisionit Evropian këtë javë ka lënë porosinë në Prishtinë se duhet të jenë plotësisht të pavarur mekanizmat shtetërorë që kanë statusin e institucioneve të pavarura. Theksin e kanë vënë te emërimet, shkruan sot Koha Ditore.

Porosia është lansuar në një takim për drejtësi, liri dhe siguri, i realizuar në mes të zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe autoriteteve të Kosovës, e i cili ka përfunduar të mërkurën. Takimi është pjesë e raundit të dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit për vitin 2016.

“Gjatë kësaj ngjarjeje dyditore zyrtarët e Komisionit Evropian kanë nënvizuar nevojën për emërime transparente, të bazuara në meritë dhe jo të politizuara të organeve të pavarura rregullatore, ndërmarrjeve publike, si dhe institucioneve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionim i tyre efektiv dhe i pavarur, me fokus të veçantë në emërimet e fundit”, thuhet në një komunikatë të përbashkët shtypi, që ka lëshuar Zyra e BE-së në Prishtinë dhe Ministria e Integrimit Evropian.(Artikullin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore).