Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 ka mbajtur takim, në të cilin është shqyrtuar gjendja aktuale me pandeminë dhe respektimin e masave mbrojtëse, njofton Llapi.info.

Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, u informua nga bartësit e sektorëve lidhur me gjendjen aktuale epidemiologjike në komunë dhe kërkoi veprime dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Komandanti i Stacionit të Policisë, majori Isak Ejupi, tha se janë duke zbatuar planin operativ në përputhje me Ligjin anti-Covid.

Ai tha se gjatë kësaj jave janë shqiptuar 156 gjoba për mos respektim të masave mbrojtëse nga Covid-19. Komandanti potencoi bashkëpunimin e ngushtë me inspeksionin komunal, duke thënë se vazhdimisht janë të angazhuar në teren për zbatimin e masave në parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Kurse, epidemiologia Bedrie Rama, tha se situata me COVID-19 në Podujevë, sipas saj, është e menaxhueshme.

Ajo tha se deri tani janë shëruar 3,940, persona të infektuar me Covid-19, kurse janë 327 raste aktive, ndërsa exitus 59 persona kanë humbur jetën./Llapi.info