Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë tha se udhëheqësit e institucioneve “nuk kanë të drejtë t’i kërcëojnë qytetarët” që nuk i respektojnë masat mbrojtëse kundër koronavirusit, duke thënë se për një gjë të tillë “nuk ka asnjë bazë ligjore”.

Ditëve të fundit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përsëriti disa herë thirrjet për respektimin e masave kundër koronavirusit, duke thënë se shkelësit e tyre do të përballen me ligjin.

Thirrjeve të tij u ka bërë jehonë edhe kryeministri Avdullah Hoti.

“KMDLNJ-ja është e shqetësuar për rritjen e të infektuarve me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi], porse kjo nuk u jep të drejtë drejtuesve më të lartë të vendit t’i kërcënojnë qytetarët e pabindur; aq më parë që nuk ka asnjë bazë ligjore me të cilën mbështeten këto kërcënime”, tha përmes një komunikate KMDLNJ-ja.

Ndëshkimi i qytetarëve të pabindur, megjithatë, është thënë se do të bëhet në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse.

KMDLNJ-ja bëri thirrje që të krijohet mundësia që “qytetarët të furmizohen me maska mbrojtëse pa pagesë”.

“Të rrallë janë ata që kanë mundësi që për një maskë mbrojtëse për një përdorim të paguajnë nga 1 euro për vete dhe nga 1 euro për çdo anëtar të familjes”, thuhet në komunikatë.

Kosova, në ditët e fundit, ka regjistruar rritje të mprehtë të numrit të rasteve me koronavirus.

Aktualisht ka 2,799 raste të konfirmuara; prej tyre, 1,506 janë shëruar, ndërsa 50 kanë vdekur.