Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas kërcënimeve të SBASHK-ut për greva të reja në arsim.

Në këtë reagim theksohet se sipas KMDLNJ-së, kërcënimi dhe shantazhimi që po bëhet nga SBASHK është duke u legalizuar.

KMDLNJ cilëson se këto sjellje të SBASHK-ut po i shkelin të drejtat e nxënësve për aersim të drejtë dhe cilësor në përputhje me planprogramet.

Sipas KMDLNJ-së nëse ministria e Arsimit i nënshtrohet këtij presioni, do të kërkohet edhe dorëheqja e ministrit Shyqiri Bytyqi.

Ky është reagimi i plotë i KMDLNJ-së:

KËRCËNIMI DHE SHANTAZHIMI NË ARSIM DHE DREJTËSI, TASHMË I LEGALIZUAR!

SBASHK-u, pasi shkaktoi çrregullime të mëdha në sistemin arsimor parauniversitar duke organizuar grevë 15 ditëshe, jo për përmirësimin e kushteve të punës për mësimdhënësit dhe nxënësit por për shkak të rritjes së pagave, pas një marrëveshjeje për ngritjen e koeficientit të pagës (përmes shantazhimit se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre), përsëri po kërcënon me greva për shkak të “presionit” që i bëhet për kompensimin e orëve të humbura për të cilat janë paguar sikur të kishin punuar me përkushtimin më të madh. SBASHK-u, me këto veprime të papërgjegjshme dhe përfituese në mënyrë flagrante po i shkelë të drejtat e nxënësve për një arsimim cilësor dhe në përputhje me dinamikën e përcaktuar sipas planprogrameve të miratuara nga institucionet kompetente. Kërkesa e fundit e SBASHK-ut për kushtëzimin e zëvendësimit të orëve përveç se është moralisht e papranueshme, kundër të drejtave të njeriut, është edhe ligjërisht e dënueshme për faktin se kushtëzimin apo shantazhimin po e përdorin si mjet për përfitime personale duke e dëmtuar një numër të madh të nxënësve si dhe prindërit e tyre. Ligji për Grevat po keqpërdoret pamoralshëm nga SBASHK-u sepse, nuk keni të drejtë që në emër të realizimit të drejtave tuaja (SBASHK-u), t’ua shkelni të drejtat e fëmijëve – nxënësve. Nëse MASHT-i i nënshtrohet shantazhimit nga SBASHK-u atëherë KMDLNj do të kërkojë publikisht dorëheqjen e ministrit të MASHT dhe përgjegjësi ligjore për të.

KMDLNj kërkon një kundërshtim të vendosur të Këshilli të Prindërve ndaj aventurave shantazhuese të SBASHK-ut duke i dërguar fëmijët në orët plotësuese sikur që kërkon që Këshilli i Prindërve të vë para përgjegjësisë donkishotët e SBASHK-ut, të cilëve as që iu intereson pësimi i nxënësve dhe çdo veprim ia kanë nënshtruar interesit personal eksklizivisht material.

Aq të pacipë janë drejtuesit e SBASHK-ut sepse në asnjë rast nuk kanë kërkuar përmirësimin e kushteve për arsimtarë dhe nxënës, angazhimin kundër largimit nga shkolla të femrave, sigurimin e transportit për nxënës në gjendje të rëndë ekonomike apo të tjera kushte që , pa asnjë dyshim do të pranoheshin nga të gjithë por këmbëngulin vetëm në përfitime personale. Duket se kushtëzimi i SBASHK-ut nuk ka fund; sa më shumë t’ua plotësoni dëshirat, aq më tepër do t’i rrisin kërkesat!
2. Numri i veteranëve , jo të rrejshëm por mashtrues (sepse me mashtrime kanë ardhur deri te statusi i veteranit) në Kosovë është jashtëzakonisht i madh dhe KMDLNj, që nga fillimi ka propozuar të hetohen listat duke vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që iu dëshmohet fajësia. Si masë paraprake ka propozuar të mos u paguhen pagat veteranëve mashtrues, deri në përfundim të hetimeve. Pas përfundimit të hetimeve dhe një procesi gjyqësor, atyre që me mashtrim kanë marrë paga, u ndërpriten këto paga sikur që me një vendim të gjykatës kompetente do të detyrohen t’i kthejnë në mënyrë retroaktive pagat e pamerituara apo të fituara me mashtrim.

Kurse, ndaj atyre që janë bërë gabime duke i vendosur në listat e veteranëve mashtrues, do të vazhdohej t’u paguhen rrogat dhe do të futeshin në listën e veteranëve të vërtetë.

Pas fillimit të procesit gjyqësorë dhe pasi prokurori i rastit doli me propozim për pezullimin e pagesave për veteranë që dyshohet të jenë mashtrues, deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, pati reagime dhe kërcënime se do të ketë protesta masive të Shoqatave të Veteranëve të
Luftës e që KMDLNj e konsideron si presion në gjykata që do të duhej të ishin të pavarura në marrjen e vendimeve! Nuk ka gjykatë apo gjykatës në Kosovë që në rrethana të tilla do ta merr një vendim të bazuar në ligj e që nuk do t’i nënshtrohej linçimit publik apo të rrezikohej ai apo familja.
Të gjithë pajtohen edhe Shoqatat e Veteranëve të Luftës gjithashtu se numri i veteranëve mashtrues është i madh por të gjithë heshtin para kësaj dukurie të shëmtuar. KMDLNj, edhe më parë është deklaruar sikur që edhe sot ka qëndrim se numri i madh i veteranëve mashtrues i ka shndërruar veteranët e vërtetë në kategori sociale duke i vënë nën nivelin e ekzistencës minimale.

Po të ishte numri i veteranë të vërtetë i saktë apo përafërsisht i saktë , kompensimi ndaj tyre do të ishhte dinjitoz duke u siguruar paga më të larta dhe të drejta të tjera që iu takojnë. Kështu, veteranët mashtrues , duke e shpërdorur mjetet e buxhetit të Kosovës, dëmin më të madh ua bëjnë pikërisht veteranëve të vërtetë!

3. Dhuna ndaj femrave kohëve të fundit është në rritje prandaj , me të drejtë është shtuar aktivizmi qytetarë në kundërshtim të kësaj dhune.

Në këto protesta të arsyeshme, ka situata të ngatërrimit të kompetencave ku protestuesit ndërhyjnë në procesin e hetimeve përmes presionit publik apo kundërshtojnë vendimet e gjykatave duke kërkuar dënime më të larta apo dënime maksimale. Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në disa raste kur gjykimi i medieve apo presioni ndaj gjykatave përmes protestave ka ndikuar në dënimin përfundimtar të të akuzuarve e ka konsideruar si shkelje e të drejtave të njeriut për një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht apo nga dikush tjetër duke nxjerrë përfundim se i akuzuari është dënuar në një proces paragjyqësor, përmes linçimit medial dhe publik.

Duhet të bëhet një dallim midis të drejtës për të protestuar kundër dhunës (pa i dhënë karakter gjinor) dhe përdorimit të protestës për të bërë presion mbi hetuesinë apo vendimin e një gjykate kompetente. Në Kosovë, pikërisht portestat dhe jo faktet e reja kanë ndikuar në ndryshimin e vendimeve të gjykatave apo në minimizimin e marrjes së vendimeve të duhura.

Protestuesit që e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të protestuar duhet ta kenë të qartë se çdo presion mbi hetuesinë dhe gjykatat është ndërhyrje në punët e këtyre institucioneve të drejtësisë sikur që e presupozojnë fajësinë apo pafajësinë e të dyshuarve, ende pa përfunduar hetimet apo pa ndonjë vendim të formës së prerë të gjykatave kompetente. Kjo është në kundërshtim të plotë me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare pë të drejtat e njeriut.