Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj thirrjes publike që Bedri Bytyçi iu bërë hoxhallarëve tjerë që të mos marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ndjerit Hilmi Haradinaj, duke e vlerësuar si një thirrje jonjerëzore, e pamoralshme, kundër mandatit të BIK-ut, kundër tolerancës fetare, si dhe lehtësisht mund të cilësohet si fjalorë me elemente raciste.

Në reagimin e KMDLNj-së, thuhet pas vdekjes së Hilmi Haradinaj nga persona të papërgjegjshëm pati përpjekje që të përbaltet personaliteti i tij në baza krejtësisht jonjerëzore dhe në kundërshtim të thellë me mësimet e besimit islam dhe pa asnjë dyshim edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Ky këshill thotë se thirrja publike që iu bënë hoxhallarëve tjerë që të mos marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ndjerit Hilmi Haradinaj duke ia mohuar shërbimet mortore nga një hoxhë, i punësuar në Bashkësinë Islame të Kosovës përkatësisht nga Bedri Bytyçi, është jonjerëzore, e pamoralshme, kundër mandatit të BIK-ut, si autoritet suprem për çështje fetare, kundër tolerancës fetare që është vlerë e besimit islam, përdorim i gjuhës së urrejtjes, nxitje të urrejtjes ndërfetare, si dhe lehtësisht mund të cilësohet si fjalorë me elemente raciste.

“Pas kësaj deklarate të hoxhës Bytyçi , filloi një fushtaë linçimi ndaj tij të cilën KMDLNj e konsideron si të papranueshme dhe se kjo fushatë mund t’ia rrezikojë jetën e Bedri Bytyçit dhe familjarëve të tij”

“KMDLNj kërkon që me rastin e hoxhë Bytyçit të merren dy institucione që kanë mandat dhe përgjegjësi për deklaratën e papërgjegjshme të hoxhës që shkaktoi zemërim dhe reagim të ashpër të opinionit , deri te kërcënimi i hapur për jetën e tij. Institucioni i parë që duhet të reagojë shpejt është BIK –u , si punëdhënës i hoxhës në fjalë duke ndërmarrë masa deri te një përfundim ( mbase ligjorë ) kurse prokuroria e shtetit duhet të veprojë sipas detyrës zyrtare , jo për shkak të reagimit të opinionit e që do të konsiderohej se e bënë për shkak të presionit por duke e marrë për bazë deklaratën e hoxhës Bedri Bytyçi e cila , pa asnjë dyshim përmban elemente të gjuhës së urrejtjes , nxitjes së urrejtjes në baza fetare , jotolerancës dhe racizmit”.