Klubi spanjoll, Sevilla, planifikon të bëjë ofertë për Xherdan Shaqirin, pasi reprezentuesit të Zvicrës i është thënë nga Liverpooli të gjejë klub të ri.

Kështu ka shkruar të shtunën sajti “Football Insider”.

28-vjeçari ka luajtur pak këtë edicion për shkak të telasheve të shumta me lëndime. Edicionin e kaluar ai ka pasur periudha shkëlqimi te gjiganti anglez, por edhe periudha kur i është dashur të luftojë për minuta.

Sipas Football Insider, për Shaqirin po interesohen klube të shumta evropiane. Sevilla është e gatshme të bëjë ofertë, por pasi të kalojë kriza me koronavirusin. Roma dhe CSKA Moska janë po ashtu të interesuara për futbollistin e krahut.

Shaqiri ka kontratë me Liverpoolin deri në verën e vitit 2023, por pritjet janë që të largohet që në verë.

Sevilla renditet në vendin e tretë në kampionatin spanjoll, menjëherë pas Barcelonës e Real Madridit.