Disa nga klubet në Kosovë po përballen me kushte të rënda në organizim, ndërsa disa të tjera kanë filluar të mendojnë për fazën përgatitore dimërore.

Klubet e kreut të renditjes qëndrojnë më mirë edhe financiarisht, ndërsa ato pritet të fazën përgatitore ta kryejnë në Turqi.

Llapi, Prishtina, Drita dhe Trepça ’89 e kanë konfirmuar shkuarjen në Turqi për fazën përgatitore.

Llapi ka aranzhuar edhe tri ndeshje miqësore.

“Skuadrat kundërshtare janë të nivelit më të lartë se futbolli kosovar dhe për FC Llapin është mundësi e mirë për tu njohur me kualitetet e klubeve evropiane dhe parapërgatitje për garat evropiane të FC Llapit”, thuhet në njoftimin e klubit.

Llapi ka ndeshje me një skuadër nga Lituania, Bullgaria dhe Hungaria.

Edhe vendi i dytë, Prishtina e ka zyrtarizuar shkuarjen në Turqi, pikërisht në Antalia.

“FC Prishtina do të jetë mysafirëve e z. Aygun për 14 ditë në hotel “Titanic” të Laras në Antalya të Turqisë për fazën përgatitore të dimrit nga 22 janari deri më 5 shkurt të vitit 2018”, thuhet në njoftim.

Ejupi me pronarin e hotelit Titanic ku do të qëndrojë Prishtina
Kampioni aktual Trepça ’89 ishte e para që kishte lajmëruar shkuarjen në Turqi. Kryetari i klubit, Abedin Zeka, kishte thënë se do të harxhon 30 deri në 40 mijë euro për këtë fazë.

Edhe Drita që po shquhet për organizimin e mirë nën drejtimin e Valon Murselit, ka paralajmëruar fazë përgatitore në Turqi.

Feronikeli që ka ndërruar kryesinë ende nuk dihet se ju do të vazhdojnë, ndërsa klube si Drenica, Besa dhe Flamurtari, vazhdojnë të qëndrojnë keq me financa./Telegrafi/