Klounët në krizë, “biznesi” nuk po ecën mirë

Biznesi i klounëve nuk është ai që ka qenë dikur, por shpresa nuk shuhet. “Do të ketë klounë për sa kohë që të ketë fëmijë”, thotë Lisa Long, e njohur edhe si klouni CC, ndërsa përgatitet për një performancë në Steford të Virxhinias.

Ajo është një nga shumë klounët amerikanë që ndjekin pasionin e tyre në mesin e një kulture popullore të fiksuar me klounët e çuditshëm.

Ajo ka marrë pjesë në kolegjin e klounëve, më shumë se dy dekada më parë, e frymëzuar nga një kloun në spital që e kishte bërë të qeshte gjatë një kohe të vështirë kur ajo luftonte me sëmundjen e të birit.

Por, në një shtëpi të magjepsur në Los Anxhelos, klounët nuk janë më personazhe qesharake. Me paruke shumëngjyrëshe dhe me fytyrë të pikturuar, ata dalin papritur para vizitorëve për ti trembur ata, si në skenat e një filmi horror të viteve ‘90, të Stiven King, që shumë klounë e fajësojnë për imazhin negativ që i bashkëngjiti atyre.

“Teoria ime, e bazuar në prova është se imazhi i klounëve si miqtë e fëmijëve është tejfryrë aq shumë sa që tashmë ka shpërthyer”.

Larg ditëve të klounëve të dashur, klounët e sotëm, shpesh prezantohen si figura të frikshme. Nuk janë vetëm televizionet dhe filmat që i kanë dhënë këtë imazh. Janë të shumtë ata që kanë pushtuar edhe faqet e para të gazetave, vitet e fundit, që të veshur me kostume klounësh terrorizonin kalimtarët në orët e vona të natës. Madje ka pasur edhe personazhe si John Wayne Gacy, i njohur si klouni vrasës, i cili u shpall fajtor për vrasjen e 33 adoleshentëve.