Agjencia kundër Korrupsionit ka filluar publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë për vitin 2021, shkruan Llapi.info.

Pasurinë e tyre e kanë raportuar edhe kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtorë të Drejtorive dhe këshilltarët komunalë.

Në deklarimin e tij, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka raportuar se në pasurinë e paluajtshme ka shtëpi 120 metra katrorë në vlerë prej 25 mijë eurove. Tokë të përbashkët 30 mijë euro dhe banesë të blerë nga kursimet 56 mijë euro.

Bulliqi, në pasuri të luajtshme, ka thënë se ka dy vetura të përbashkëta, një e tipit “Tiguan” në vlerë prej 19 mijë eurove, “Golf IV”, 4 mijë euro.  Më tej, Bulliqi ka thënë se ka rreth 56 mijë euro para të kursyera në banka.

Nënkryetarja e Komunës, Margona Lahu, në pasurinë e paluajtshme thotë se ka banesë 52 mijë euro, të blerë me kredi dhe kursime. Në pasuri të luajtshme, Lahu thotë se ka blerë veturë 3 mijë e 500 euro. Ajo ka 1,100 euro të kursyera në banka, kurse ka kredi 42 mijë e 400 euro, të cilat i ka marrë për blerjen e banesës.

Drejtori i Administratës në këtë Komunë, Bahri Selimi ka thënë në AKK në pasurinë e paluajtshme se ka shtëpi të trashëguar në vlerë prej 50 mijë eurove dhe tokë po ashtu të trashëguar 100 mijë euro. Selimi në pasuri të luajtshme ka deklaruar se ka dy vetura, një dhuratë nga vëllai 5 mijë euro dhe një tjetër 20 mijë, të blerë nga kursimet me ndihmë nga vëllai që jeton në Austri. Selimi ka rreth 18 mijë euro të kursyera në bankë.

Drejtori i Arsimit, Avni Fetahu ka deklaruar pasurinë e tij të paluajtshme në Agjencinë Kundër Korrupsionit, duke shtuar se ka banesë në vlerë 31 mijë euro, të blerë me kredi dhe të hyrat nga bujqësia. Fetahu ka shtëpi të trashëguar 30 mijë euro, oborr të trashëguar 5 mijë euro, arë të trashëguar 25 mijë euro.

Ndërsa, pasuri të luajtshme, Fetahu ka thënë se posedon veturë të tipit “Volksëagen Passat”, prej 5 mijë e 100 euro, e ardhur nga Gjermania. Drejtori i Arsimit ka mbi 1 mijë euro të kursyera dhe mbi 16 mijë euro kredi për blerjen e banesës.

Drejtoresha e Pronës, Kadastrit  dhe Gjeodezisë, Bahrije Mehmeti, në pasurinë e paluajtshme ka deklaruar se ka shtëpi me 10 ari në pronësi të vjehrrit 55 mijë euro dhe tokë 34 mijë euro po ashtu në pronësi të vjehrrit.

Drejtoresha Mehmeti ka në pasurinë e luajtshme ka thënë se ka veturë të tipit Golf V”, të blerë nga kursimet 6 mijë e 500 euro. Ajo ka mbi 700 euro të kursyera në banka.

Drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, në pasurinë e paluajtshme ka deklaruar se ka shtëpi të trashëguar e cila kap vlerën e 200 mijë eurove, banesë nga puna 130 mijë euro, tokë 660 mijë euro të trashëguar, një tjetër banesë mbi 99 mijë euro nga puna.  Hasani të pasuri të luajtshme posedon dy vetura, të cilat së bashku i bëjnë mbi 15 mijë euro. Hasani i ka rreth 5 mijë euro të kursyera në banka. Ai thotë se ka 50 për qind aksione në AP STUDIO sh.p.k.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci, në pasurinë e paluajtshme ka shtëpi të trashëguar 20 mijë euro, 40 ari tokë të trashëguar, 45 mijë euro, mal 10 mijë euro dhe tokë tjetër 12 mijë euro, të gjitha këto të trashëguara.

Në pasuri të luajtshme, Kutllovci ka veturë blerë të tipit “Golf iV”, 4 mijë euro. Ajo ka thënë se ka 591 euro të kursyera në bankë.

Drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu, në pasurinë e paluajtshme ka deklaruar se ka banesë të blerë 60 mijë euro. Ai ka deklaruar shtëpinë e prindërve në vlerë 40 mijë euro dhe mbi 80 mijë euro disa toka të trashëguara.

Drejtori Veliu në pasurinë e luajtshme ka thënë se posedon një veturë të blertë të tipit “Mercedes” 3 mijë e 200 euro dhe një traktor “Fergusson” 3 mijë e 500 euro po ashtu të blerë. Ai ka thënë se ka në pronësi edhe një ordinancë private “Oral Dent” me kapital 8 mijë euro. Ai thotë se ka mbi 1 mijë euro të kursyera në banka.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka deklaruar se ka disa toka bujqësore të trashëguara, banesë, tokë dhe mal, të gjitha këto pasuri të paluajtshme të trashëguara nga babai. Ai thotë se ka banesë 42 mijë euro, shtëpi 72 mijë euro, tokë mbi 29 mijë euro dhe disa toka bujqësore mbi 30 mijë euro. Osmani s’ka deklaruar asgjë në pasi të luajtshme, teksa ka thënë se ka250 euro të kursyera në bankë, kurse 6 mijë euro kredi.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Fevzi Jetullahu, në pasurinë e tij të paluajtshme thotë se ka shtëpi 45 mijë euro dhe tokë të blerë mbi 2 mijë euro.

Në pasuri të luajtshme, Jetullahu thotë se ka blerë veturë në vitin 2014 në vlerë prej 5 mijë eurove, kurse thotë se ka kredi 30 mijë euro.

Drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj, në pasuri të paluajtshme ka thënë se ka shtëpi të trashëguar në vlerë prej 70 mijë euro dhe oborr të trashëguar 50 mijë euro. Balaj s’ka deklaruar pasuri të luajtshme.

Kurse, Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Vigan Salihu, në pasuri të paluajtshme ka thënë se ka banesë të trashëguar nga prindi 30 mijë euro, shtëpi 20 mijë euro,  tokë bujqësore në pronësi të prindit 24 mijë euro dhe truall në pronës të prindit mbi 2.400 euro. Ndërkaq, në pasuri të luajtshme, Salihu ka veturë të blerë 6 mijë e 750 euro dhe 45 shoqëri bletësh 4 mijë e 500 euro. Ai thotë se ka kredi  5 mijë euro dhe ka mbi 1 mijë e 400 euro para të kursyera./Llapi.info