Kishte bërë goxha sakrificë për të ndjekur studimet në Shkollën e Lartë, Drejtimi Kimi-Fizikë në Prishtinë. Pos që e kishte gjendjen e rëndë ekonomike, atij i doli pengesë edhe ish-regjimi i asaj kohe.

Pas arrestimit të vëllait të tij, iu konfiskua indeksi, i cili nuk iu dha për plot 10 vjet. Mezi kishte diplomuar në vitin 1990. Por Nebih Balaj (1953) nga Podujeva nuk e ushtroi asnjë ditë profesionin e tij, shkruan sot “Koha Ditore”. Me gjithçka është marrë prej asaj kohe, pos profesionit të kimistit. Ka nisur të merret edhe me punë shkencore, në mbledhjen e këngëve të vjetra.

Prej vitit 2012 është bërë edhe bashkëpunëtor përgjegjës për Llap e Gollak i Institutit Albanologjik të Kosovës-Dega e Folklorit. Për një kohë ka punuar në mbledhjen e këngëve kreshnike për një libër, projekt i përbashkët i Institutit Albanologjik dhe i Akademisë së Shkencave në Tiranë, që pritet të dalë në 4 vëllime. Por Nebihu nuk ishte ndalur vetëm në Llap e Gollak.

Ai, për këtë projekt, ka punuar edhe në Drenicë me profesor Zymer Nezirin, në pjesën e Artakollit-Vushtrri me Shukrane Begun, me dr. Begzad Baliun në Drenicë dhe po ashtu në Malishavë. Puna e tij prej hulumtuesi të folklorit ka filluar të çmohet edhe përtej kufijve.