Ish-kryetari i degës së LDK-së në Llap, Agim Veliu, ka thirrur për sot një mbledhje të kryesisë së kësaj partie në degën e Podujevës, shkruan Llapi.info.

Por, kjo mbledhje nuk ka arritur të mbahet për shkak se kësaj ftese i janë përgjigjur vetëm 3-4 persona, gjë që ka çuar në dështimin e këtij takimi për shkak të kuorumit.

Në bazë të pamjeve që ka publikuar GazetaExpress, shihet se ne këtë takim kanë marrë pjesë vetëm Veliu, ish-nënkryetari i tij, Nexhmi Rudari, ish-drejtori i Bujqësisë, Vezir Januzi dhe anëtarja e kryesisë, Shpresa Çitaku.

Burimet nga dega e Podujevës, thonë se refuzimi ka ndodhur pas deklarimit publik që Veliu bëri mbrëmë në profilin e tij në Facebook, ku u shfaq hapur kundër vendimeve të partisë.

Mësohet që qëllimi i vërtetë i thirrjes së këtij takimi ishte të merret qëndrim kundër vendimit të Abdixhikut dhe i njëjti të shpallej antistatutar.

Përmes një shkrimi në Facebook, Agim Veliu mbrëmë e ka quajtur vendim skandaloz atë që ka marrë kryesia e partisë për të caktuar kandidat për kryetar të Podujevës, Ekrem Hysenin si dhe kryetar të degës së LDK-së në Llap.

“Për vendimin arbitrar dhe të paligjshëm të Kryesisë dhe të Kryetarit Abdixhiku, fillimisht isha informuar përmes mediave. Ndërsa, sot (e diel) më është përcjell vendimi skandaloz i nënshkruar nga kryetari i partisë, i cili nuk shquhet vetëm për shkelje të Statutit të partisë, por edhe për gabime drejtshkrimore, mbase nga ngutia për ta “përligjur” sa më shpejt shkarkimin Kryetarit të Degës në Podujevë”, ka shkruar mbrëmë Veliu, duke thënë se ky veprim është “maskaradë e Kryetarit Abdixhiku dhe përkrahësve të tij në Kryesi nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e ndyrë dhe përpjekje për ta kamufluar vendimin në emër të kinse riorganizimit të brendshëm (lexo: spastrimit të brendshëm), të prezantuar në “Platformën e Kryetarit të LDK-së 2021-2023”, shkroi ai./Llapi.info