21 pjesëtarë të Policisë së Kosovës që ishin nisur për të kryer detyrat e tyre, janë kthyer në arkivol tek familjet e tyre.

Emisioni “Expose”, pordhim i Gazeta Blic, e që transmetohet në Kanal 10, ju sjell në detaje dhe për secilin rast veç e veç se si kanë humbur jetën në detyrë, pjesëtarët e policisë së Kosovës.

Vrasja e parë e një zyrtari të Policisë së Kosovës u shënua rreth 19 vite më parë.

Polici Lazim Rexhepi, nga fshati Novosellë e Komunës së Kamenicës ishte polici i parë i cili vdiq në detyrë si pjesëtar i Policisë së Kosovës më 11 shtator të vitit 2001.

Dy vite më vonë, më saktësisht në vitin 2003 humbin jetën në detyrë edhe 4 zyrtar policor, njëra prej tyre grua, raporton Gazeta Blic.

Danush Hasani, nga Brodi i Ferizajt, kishte vdekur më 21 gusht të vitit 2003.

Në po të njëjtin vit, Policia e Kosovës ka humbur edhe një tjetër zyrtarë policor. Me 6 shtator të vitit 2003, polici Hajdar Ahmeti, derisa po kthehej nga puna, është vrarë në afërsi të fshatit të tij të lindjes, në Berjah të Gjakovës.

Me 24 nëntor të vitit 2003 ndodhi një atentat mbi dy zyrtarët policor, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj.

Për vrasjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Sabahate Tolajt nga fshati Pobergjan i Deçanit dhe Isuf Haklajt nga fshati Isniq i Deçanit, me 27 vjet burgim është dënuar Bedri Krasniqi.

Sabahate Tolaj kishte vdekur të nesërmen, ndërsa Isuf Haklaj katër ditë me vonë pas sulmit ndaj tyre.

Vrasjen e së bijës dhe të kolegut të saj, babai i Sebahates, Demë Tolaj asokohe e kishte ndërlidhur me hetimet që po i zhvillonin rreth tri rasteve të vrasjeve që kishin ndodhur pas përfundimit të luftës në rajonin e Dukagjinit.

Ndërkaq 18 vite pas, një dëshmitar okular përmes një bisede telefonike në emisionin Debat Plus shpalos detaje të reja rreth këtij akti kriminal.

Gjatë vitit 2004, Policia e Kosovës humbi tre zyrtar policor, dy prej të cilëve ishin nga Komuna e Vushtrrisë.

Arsim Rrustolli nga fshati Dumnicë e Vushtrrisë u vra më 23 mars të vitit 2004.

Në po të njëjtin vit u vra edhe Ilir Llapatinca nga fshati Terrnje e Suharekës. Llapatnica ka rënë në detyrë më 13 maj të vitit 2004.

Në fund të vitit 2004 në detyrë ra edhe polici Driton Mehana nga fshati Liqej i Vushtrrisë, saktësisht më 25 dhjetor.

Dy vite pas vrasjes së policit Mehana, në detyrë ka rënë edhe polici Abedin Mustafa, nga Komuna Mitrovicës më 19 shtator të vitit 2006.

Më 3 janar të vitit 2007, në detyrë ka rënë edhe pjesëtari i Policisë së Kosovës, Avni Kasumi nga fshati Skoqne e Vushtrrisë. Derisa më 30 gushtit të vitit 2007 në një lagje të Prishtinës u qëllua për vdekje Triumf Riza, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Katër vite më vonë ra në detyrë si pjesëtar i Policisë së Kosovës Slavisa Milovanoviç me 15 korrik të vitit 2011 në Mitrovicë.

Në po të njëjtin vit, më datë 26 gusht ra në detyrë pjesëtari i Policisë së Kosovës Misin Krasniqi, nga fshati Negroc i Drenasit.

Enver Zymberi, pjesëtar i Njësisë Speciale në Policinë e Kosovës ishte vrarë më 25 korrik 2011 gjatë aksionit të njësive speciale për vendosjen e rendit dhe kushtetutshmërisë në veri të Kosovës.

Në një aksident trafiku humbi jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Jahi Maliqi nga Kamenica. Maliqi vdiq më 15 prill të vitit 2014 në një aksident trafiku në rrugën Kamenicë- Strezovc.

Një vit pas, edhe një zyrtar tjetër i Policisë së Kosovës humbi jetën si pasojë e një aksidenti trafiku.

Nebih Ramadani nga fshati Gaçkë e Ferizajt, me 3 mars të vitit 2015 ishte goditur nga një veturë, teksa ishte duke ecur në rrugën që dërgon drejtë Kaçanikut.
Shemsi Gashi, nga fshati Matiqan i Prishtinës është vrarë më 23 mars të vitit 2015 në lagjen ‘Mati’ në Prishtinë.

Një aksident trafiku në rrugën Kaçanik- Han i Elezit u mori jetën dy zyrtarëve policor Armend Trena dhe Malsor Gashi, nga Komuna e Kaçanikut dhe e Ferizajt.

Përderisa kishin kryer një detyrë e cila u ishte caktuar, në të kthyer, dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga rajoni i Ferizajt, Armend Trena dhe Malsor Dashi, u aksidentuan në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit dhe ranë në ujërat e lumit Lepenc.

Kërkimet për dy policët e rënë në lumen Lepenc vazhduan për dhjetë ditë radhazi.

Pas pesë ditësh kërkim, ishte gjetur trupi i policit Malsor Dashi, rreth 5 kilometra nga vendi ku kishte ndodhur aksidenti. Në ditën e dhjetë të kërkimeve, përderisa po vendosej rrjeta e re në urën në fshatin Seçishtë, një kilometër më tutje nga ku u gjet trupi i Malsor Dashit, u gjet edhe trupi i policit të dytë, Armend Trenës.

Izet Demaj është pjesëtari i fundit i Policisë së Kosovës i cili ra në detyrë. Demaj u vra më 27 dhjetor të vitit 2018, gjatë një grabitjeje të armatosur e cila ndodhi në Istog.

Sami Thaqi, është zyrtari i fundit policor që vdekjen e gjeti në uniformën e Policisë së Kosovës, gjatë një bastisjeje në një shtëpi në Zhur të Komunës së Prizrenit, ku ishte vendosur eksploziv.