Foto: Llapi.info

Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj asamblistit të Kuvendit Komunal të Podujevës, Fatmir Rudari, pasi ai e ka pranuar fajësinë për veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Adnan Isufi, të akuzuarit Rudari i është shqiptuar dënimi me burgim efektiv në kohëzgjatje prej tre muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në vlerë prej 500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj të akuzuarit Rudari, gjykata ka shqiptuar edhe dënim tjetër me gjobë në lartësi prej 250 euro, të cilën i akuzuari obligohet ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Isufi ka njoftuar se me pëlqimin e të akuzuarit ky dënim me burgim dhe me gjobë, mund të zëvendësohet në një dënim unik me gjobë në shumën prej 750 euro.

Sipas gjykatësit Isufi, nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguajë gjobën e shqiptuar, atëherë do të bëhet zëvendësimi i dënimit me gjobë, dhe do të mbetet në fuqi dënimi i shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej tre muajve.

Pala e pakënaqur, sipas tij, ka të drejtë ankesë ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi, duke shtuar se i akuzuari Rudari, dënimin e shqiptuar me gjobë mund ta paguajë me tri këste, më së largu deri më datën 5 të muajve vijues.

Ndryshe, i akuzuari Fatmir Rudari, në seancën gjyqësore të mbajtur më 20 mars të këtij viti, e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 17 dhjetor 2018, Fatmir Rudari akuzohet se më 1 mars deri më 13 mars 2018, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, si asamblist i Kuvendit Komunal të Podujevës, edhe pse ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare, i njëjti brenda afatit ligjor nuk e ka deklaruar pasurinë për periudhën kohore nga data 01-31 dhjetor 2017.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Fatmir Rudari se ka kryer veprën  “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi