Grevën e përgjithshme në arsim po e kundërshton edhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare në Facebook, KNK ka kërkuar nga mësimdhënësit që ta ndërpresin grevën, pasi sipas tyre, po ua dëmton të drejtën për arsim.

“Ne si Këshill i Nxënësve të Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Rinor Kosovar nën ombrellën e së cilit funksionojmë, konsiderojmë se pakënaqësitë e tilla të mësimdhënësve si rritja e pagës, sado që mund të jenë legjitime, do të duhej të adresoheshin përmes metodave të tjera që nuk do të pengonin mbarëvajtjen mësimore, nga i cili fakt ne nxënësit pësojmë më së shumti”, thuhet në reagim.

KNK ka ftuar Ministrinë e Arsimit, atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe SBASHK-un që të bashkëpunojnë për një zgjidhje më efikase.

“Duke besuar në të drejtën e mësimdhënësve, KNK po të njëjtëve u rekomandon të shterrin fillimisht çdo kanal tjetër para se të dëmtojnë të drejtën tonë për arsim. Greva duhet të ndërpritet”, thuhet në reagim. Ndryshe, mësimdhënësit nga e hëna kanë hyrë në grevë me kërkesën për rritje pagash.