Ekzekutivi i Komunës së Podujevës ka mbajtur në Kërpimeh takim publik – dëgjim buxhetor me qytetarët e kësaj zone, lidhur projektet prioritare për periudhën 2018-2020 në bazë të Qarkores Buxhetore 2018/01.

Me dëgjimin publik me qytetarë, që është mbajtur në Kërpimeh, e ku morën pjesë banorët e fshatrave përreth, ekzekutivi i Komunës së Podujevës ka nisur procesin e diskutimeve për Kornizën afatmesme buxhetore 2018-2020 mbi bazën e Qarkores Buxhetore 2018/01 të Ministrisë së Financave si dhe projeksionet fillestare të projekteve kapitale, që do të përfshihen në Projektbuxhetin e Komunës, thuhet në komunikatën komunale transmeton Llapi.info.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, tha se qëllimi i këtyre takimeve është që Ekzekutivi i Komunës, sikurse edhe viteve të tjera, të informohet drejtpërdrejt nga qytetarët për nevojat dhe prioritetet e investimeve në secilin lokalitet, me qëllim që në planifikimet buxhetore të hyjnë projektet që janë me interes të qytetarëve.

Latifi tha se buxheti i Komunës për vitin 2018 pritet të jetë rreth 20 milionë euro, nga të cilat rreth 6 milionë euro do jenë për investime kapitale

“Do të investohet në përmirësimin e ambientit, në mënyrë që komuna jonë të bëhet një vend më i mirë për të jetuar. Do t’i përmirësojmë rrethanat për komunitetin në kuptimin e sigurisë dhe shëndetit. Do të përmirësojmë kualitetin e jetës së nëpërmjet investimeve në infrastrukturën sportive dhe kulturore”, tha Latifi.

Qytetarët pjesëmarrës në takim kanë kontribuuar me propozime konkrete të projekteve që do të futen në projeksionet fillestare të investimeve kapitale në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2018/20.

Gjatë debatit, drejtorët e drejtorive përkatëse janë përgjigjur në pyetjet dhe kërkesat e qytetarëve, si dhekanë dhënë sqarime për mundësinë e përfshirjes së projekteve të propozuara në buxhetin e Komunës për vitin 2018.

Dëgjime publike gjatë javës do të mbahen edhe në Lluzhan, Orllan dhe Podujevë.